Lista Serbe e quan ambasadorin Hovenier,hipokrit që jep vlerësime paushalle
Foto: Lista Serbe/Facebook
Lajme

Lista Serbe e quan ambasadorin Hovenier,hipokrit që jep vlerësime paushalle

Jeton Musliu / RTKlive

Lista Serbe ka vendosur “ta demantojë” ambasadorin amerikan, Jeff  Hovenier. Me një komunikatë për media, Lista Serbe hedh poshtë plotësisht deklaratat e ambasadorit Hovenier, sa i përket përfshirjes së Milan Radoiçiqit, në aktivitete të paligjshme.

Një deklarim të tillë të ambasadorit, Lista Serbe e cilëson  “vlerësim paushall”.

“Lista Serbe pret që një zyrtar i tillë i lartë të paraqesë prova të qarta për pretendimet e tij, jo vlerësime paushall”, deklaron Lista Serbe.

“Në deklaratën e tij për media, ambasadori amerikan ka harruar të përmend atë që ka thënë në atë takim, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq lidhur me pretendimet e ambasadorit, para së gjithash, se është e papranueshme të flitet për dikë në këtë mënyrë”.

Lista Serbe deklaron se ndaj nënkryetarit të saj, Radoiçiq nuk është nisur asnjë procedurë gjyqësore për të vërtetuar atë që ka thënë  Hovenier.

Për më tepër, Lista serbe deklaron se “Prishtina dhe ambasadori Hovenier mendojnë se është e mundur të shpallet fajtor pa vendim gjykate”.

Duke e cilësuar hipokrite bashkësinë ndërkombëtare e tërthorazi edhe vetë ambasadorin amerikan, Lista serbe deklaron se ata u flasin serbëve për nevojën e respektimit të Marrëveshjes së Brukselit, ndërkohë që pranojnë se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe është i pamundur, nëntë vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

“Ose kur ata flasin për respektim të drejtave dhe drejtësisë, dhe në të njëjtën Kosovë nuk zbatohet asnjë dokument në favor të serbëve, madje as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, shkruan mes tjerash, në reagimin e Listës Serbe.

Përndryshe, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka takuar të enjten paradite, ministrin për Kthim dhe Komunitete, njëherit kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ambasadori Hovenier, pas takimit, ka thënë se ia ka bërë te ditur kryetarit të Listës Serbe, qëndrimin e ShBA-së për vendimet qeveritare për fletë-deklarimet në hyrje për personat me dokumente të Serbisë si dhe për konvertimin e targave.

“Unë gjithashtu shfrytëzova rastin për t'i kujtuar atij një çështje të veçantë, në kontekstin e deklaratave të fundit. Më duhet t'u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin, dhe i tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur", ka shtuar ai.


APR
Romay Lift