Ukraina lëvizë drejt njohjes së Kosovës, propozohet rezolutë në Parlament
Foto nga Reuters kur Parlamenti i Kosovës u solidarizua me Ukrainën.
Lajme

Ukraina lëvizë drejt njohjes së Kosovës, propozohet rezolutë në Parlament

Jeton Musliu / RTKlive

Propozohet rezolutë në Parlamentin e  Ukrainës, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë e ka bërë deputeti Oleksiy Goncharenko. Ai ka njoftuar në llogarinë e tij në twitter se ka dorëzuar  një draft-rezolutë në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, draft-rezoluta i bën thirrje shtetit të tij që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Dorëzova në Parlamentin ukrainas një rezolutë për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, shkroi deputeti Ukrainës.

“Ukraina ndan vlerat perëndimore dhe do të përkrahë demokracinë kudo në botë”.

Deputeti Goncharenko deklaroi se shpreson që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe këtë ta bëjë sa më parë të jetë e mundur.

Në këtë draft-rezolutë të dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës, shkruan se shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke përmendure dhe faktin se shteti njihet nga 22 vende të BE-së si dhe nga ShBA, Britania e Madhe e Kanadaja.

Për më tepër, në këtë dokument kërkohet që  hap konsistent përpara i Ukrainës,  do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.

Në draft-rezolutën e propozuar shpjegohet fakti se në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së, deklaroi se  shpallja e pavarësisë së Kosovës, nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe nuk shkel asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar.

“Jo më kot, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së, për të cilat ne përpiqemi, e kanë njohur tashmë Kosovën”, ka shkruar deputeti Ukrainës.

“Refuzoni menjëherë një lloj tjetër manipulimi – situata midis Ukrainës dhe pseudo-republikave  në Ukrainë nuk është e njëjtë”, shkroi ligjvënësi ukrainas.

“Ky është momenti kur Kosova realisht ka të drejtën e pavarësisë”.

Ai madje ka publikuare dhe një hartë të vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës duke pyetur nëse Ukraina do të bëhet bashkë me vendet që janë me të gjelbër e që janë demokratike apo ato që bëjnë pjesë me ngjyrë të hirit.

Një lëvizje e tillë në Ukrainë është e para që prej kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Ukraina nuk njeh ende pavarësinë e Kosovës, e megjithatë kjo e fundit ka vazhduar t’i dalë në ndihmë me të gjitha kapacitetet e saj, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke strehuar gazetarë ukrainas e duke dërguar ndihma.

Javë më parë në Kiev ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili në takim me presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelensky, i kërkoi atij drejtpërdrejt njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Aktualisht Ukraina është në luftë me Rusinë, pasi kjo e fundit ka sulmuar këtë shtet.


APR
Romay Lift