Serbia po bën sërish lojëra
Foto: Foreign Policy
Lajme

Serbia po bën sërish lojëra

Amanda Coakley/ Foreign Policy

Marrëdhëniet me Kosovën, takimet me Moskën dhe fërkimet me Brukselin, për Beogradin janë kurse të barabarta. “Foreign Policy” i kushton një analizë situatës së fundit mes Kosovës e Serbisë e sidomos, qasjes së Serbisë e cila deri më tash ka mundur të menaxhojë me sukses pozitën e saj mes Washingtonit, Brukselit, Moskës e Pekinit, duke pasur “mbi shpinë”, Kosovën.

Kur tensionet u rritën mes kombeve ballkanike të Kosovës dhe Serbisë, të dielën, frika nga dhuna serioze, shkaktoi një përgjigje të fortë nga misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO në Kosovë.

“Misioni [Forca e Kosovës] i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti”, thuhet në një deklaratë të lëshuar me nxitim.

Rrënja e telasheve është mosmarrëveshja mes dy vendeve për masat reciproke të shpallura nga Kosova në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, lëvizje që Serbia dhe serbët etnikë që jetojnë në Kosovë, i konsiderojnë si provokim pasi nuk e njohin sovranitetin e Kosovës.

 Nuk iu desh shumë kohë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq të gjuante të shtënat e tij standarde retorike, ndaj liderëve të Kosovës.

 “Ne do të lutemi për paqe dhe do të kërkojmë paqe, por nuk do të ketë dorëzim dhe Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë shtypi.

Situata u qetësua në fillim të javës pas një ndërhyrjeje të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili loboi me sukses që Prishtina të shtynte masat për 30 ditë,  për sheshuar çdo keqkuptim.

Por incidenti ndezi alarmin në kryeqytetet perëndimore, të cilat janë të ndjeshme ndaj kërcënimeve të dhunës rajonale pas agresionit të Rusisë në Ukrainën fqinje, që nisi  në fund të shkurtit.

Biseda e ashpër nga Vuçiç tërhoqi gjithashtu vëmendjen për pozicionin e Serbisë për luftën e Rusisë.

Në fjalimin e tij të dielën, lideri serb akuzoi Kosovën për përdorimin e gjendjes së vështirë të Ukrainës për të kënaqur interesat e veta, duke e krahasuar veten me një version të favorshëm të presidentit rus Vladimir Putin dhe liderin e Kosovës, me një version më të vogël të Volodymyr Zelensky të Ukrainës.

“Putini i madh urdhëroi Putinin e vogël, kështu që Zelensky i ri në formën e Albin Kurtit [kryeministri i Kosovës] do të shpëtojë dikë dhe do të luftojë kundër hegjemonisë së madhe serbe”, tha Vuçiq.

Që nga fillimi i pushtimit nga Putini, Vuçiç ka shkelur vijën e mbështetjes së dënimit perëndimor të agresionit ushtarak të Moskës në Ukrainë dhe garantimit që marrëdhëniet serbe me Kremlinin të mos marrin një goditje të pakthyeshme.

Serbia dhe Bjellorusia janë dy vendet e vetme evropiane që nuk vendosin sanksione ndaj Rusisë (megjithëse Hungaria ka bërë çmos për të gjunjëzuar çdo përgjigje të Bashkimit Evropian ndaj konfliktit).

Përveç kësaj, Beogradi ka dyfishuar numrin e fluturimeve direkte për në Rusi, pavarësisht ndalimit të BE-së për avionët rusë.

Për inatin e liderëve perëndimorë, Vuçiç nënshkroinë maj  edhe për tre vjet të tjera marrëveshjen për gazin rus, një marrëveshje që u bë përmes telefonit direkt me Putinin.

Nga ana tjetër, Beogradi ka theksuar se Serbia mbështet sovranitetin e Ukrainës.

Vuçiç, ashtu si Viktor Orban i Hungarisë, argumenton se ai është udhëheqësi i një vendi të vogël dhe duhet të plotësojë nevojat e popullit serb, duke përfshirë vazhdimin e mbështetjes te Rusia për furnizimet e nevojshme të energjisë.

“Ne duhet të mbijetojmë dhe duhet të veprojmë në mënyrë racionale”, ka thënë ai.

Por një pjesë e përgjigjes së Serbisë i ka rrënjët gjithashtu në histori. Para Luftës së Parë Botërore, Serbia ishte aq shumë në orbitën e Moskës sa u bë shkaku i drejtpërdrejtë i luftës midis perandorive ruse, austro-hungareze dhe gjermane.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Jugosllavia e dominuar nga Serbia luajti një rol të madh gjeopolitik – një rol që u zhduk së ​​bashku me Jugosllavinë në fillim të viteve 1990. Por kujtimet jo.

"Jugosllavia, ku Serbia ishte pjesa më e madhe, po luante peshën e saj gjatë Luftës së Ftohtë," tha Ivan Vejvoda nga IËM me qendër në Vjenë, një institut për studime të avancuara.

 “Në fund të viteve 1950 dhe në fillim të viteve 1960, qeveria jugosllave bashkë themeloi Lëvizjen e e të Pa –inkuadruarve, një zë i tretë midis Perëndimit dhe Lindjes. Më pas, shpejt pas  shpërbërjes së Jugosllavisë – disa vende ende mendonin se ishin disi të fuqishme,” shtoi ai.

 “Në njëfarë kuptimi, Serbia ka sindromën e gjymtyrëve të munguara kur bëhet fjalë për të qenë në gjendje të balancojë Lindjen dhe Perëndimin.”

Serbia thotë se është ende në kërkim të anëtarësimit në BE, ku ka pritur  me statusin e kandidatit që nga viti 2009. Por Beogradi shikon nga perëndimi, jugu dhe lindja dhe sheh gracka kudo.

BE-ja dëshiron që Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës që është një stop në Beograd. Kur kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Serbinë në qershor, Vuçiç e kundërshtoi atë për komentet mbi njohjen e Kosovës nga Serbia.

"Ne nuk i përgjigjemi presionit," tha presidenti serb në një shkëmbim të nxehtë.

Rusia duhet të jetë garantuesi i saj, por edhe atje Beogradi gjen arsye për shqetësim, veçanërisht veton e Rusisë për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Çështja e Kosovës i ka vënë serbët në një krizë që kur bomba e parë ruse dogji tokën ukrainase këtë pranverë.

 Në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres në prill, Putin e krahasoi pretendimin e Rusisë ndaj gadishullit të Krimesë të Ukrainës (të cilin e aneksoi ilegalisht në 2014) me lëvizjet e kosovarëve për pavarësi.

 “I vetmi ndryshim midis dy rasteve ishte se në Kosovë ky vendim për sovranitetin u miratua nga parlamenti, ndërsa Krimeja dhe Sevastopoli e morën atë në një referendum [rajonal]”, tha Putin.

Edhe pse ambasadori rus në Serbi më vonë u tërhoq nga deklarata, duke thënë se qëndrimi i Moskës për Kosovën nuk kishte ndryshuar, incidenti tronditi mediat e kontrolluara nga shteti serb, të cilat i quajtën komentet e Putinit një goditje me thikë pas shpine.

Tani, Rusia duket se është kthyer në bord. Të dielën, Moska mbajti një qëndrim të ashpër ndaj tensioneve rajonale, duke i bërë thirrje Prishtinës “të ndalojë provokimin dhe të respektojë të drejtat e serbëve në Kosovë”.

“Udhëheqësit aktualë të Rusisë dhe Serbisë ndajnë jo vetëm afinitet historik, por një vizion të shtetësisë që promovon tendenca të forta nacionaliste”, thotë Aleksandra Tomanic, drejtoresha ekzekutive e Fondit Evropian për Ballkanin.

“Është shumë më tepër sesa Serbia të jetë dora e zgjatur e Rusisë. Ajo që ne në fakt kemi këtu është se Serbia dhe Rusia kanë të njëjtin botëkuptim,” tha ajo. “Për qeverinë aktuale, anëtarësimi i Serbisë në BE është diçka si një martesë e detyruar dhe thirrjet për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe njohjen reciproke me Kosovën nuk janë pritur mirë.

Gjatë gjithë kohës Kina fshihet në prapavijë. Serbia ka qenë përfituesi më i madh i investimeve kineze në Ballkanin Perëndimor, me rreth 61 projekte aktive në vend.

“Miqësia e çelikut” mes dy vendeve pritet të sjellë një marrëveshje të tregtisë së lirë para fundit të këtij viti, një lëvizje që do ta bënte Serbinë vendin e tretë evropian që siguron një marrëveshje të tillë me Kinën, së bashku me Zvicrën dhe Islandën.

Me Beogradin që është nën presionin e BE-së për t‘u vendosur në linjë pas sanksioneve dhe nga Rusia për të mbajtur derën hapur, Pekini po bëhet edhe më i rëndësishëm.

“Vitet e fundit, Kina është bërë për Serbinë partneri dominues jashtë botës perëndimore. Ajo me të vërtetë ka zëvendësuar Rusinë si partneri nr. 1 në lindje,” tha Vuk Vuksanoviç nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

 “Serbia nuk dëshiron të vendosë vezët e saj në një shportë të vetme, kështu që e gjithë kjo ka të bëjë me manovra taktike, dhe Kina ka qenë pjesë e këtij ekuacioni, veçanërisht pasi nuk e njeh Kosovën”.

Alarmi i së dielës ishte një kujtesë për Brukselin se njohja nga Serbia e Kosovës mbetet një perspektivë e largët dhe se dora e zezë e Rusisë në rajon nuk është zhdukur. Ai gjithashtu nënvizon efektet e valëzuara të agresionit të Rusisë pasi ndan shtetet rebele të BE-së dhe ato që do t'i bashkoheshin radhëve të tyre nga konsensusi i Brukselit.

Por ndërsa Vuçiç përpiqet të ecë në një litar të ngushtë diplomatik, kjo shërben gjithashtu si një kujtesë se ndonjëherë, sado i madh të jetë poli balancues, ndodhin rënie.

Përkthyer nga Jeton Musliu. Nëntitulli është i vendosur nga RTKlive.com


APR