Hyseni: Në dialog ka rëndësi vetëm marrëveshja e përgjithshme
BKT
Lajme

Hyseni: Në dialog ka rëndësi vetëm marrëveshja e përgjithshme

B. Halimi / RTKlive

Ish-shef i ekipit negociator në dialogun mes Kosovës e Serbisë, Skënder Hyseni, ka reaguar pas deklaratës së sotme të kryeministrit Albin Kurti, se është i interesuar të diskutojë elementet e marrëveshjes së përgjithshme në takimin e 18 gushtit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“E përkrah plotësisht këtë qasje të re të Kurtit. Natyrisht, nëse ai këtë e mendon dhe nëse përfundimisht e ka kuptuar se strategjia e deritashme e dialogut që ka zhvilluar ai në Bruksel ka qenë tërsisht e gabuar”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Sipas tij Kurti duhet përfundimisht ta kuptojë se në dialog duhet trajtuar vetëm atë që ka rëndësi primare, e që është arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë, e cila rrjedhimisht dhe, me automatizëm i zgjidhë të gjitha çështjet tjera midis Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet të bie në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, sepse kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quosë, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë. Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës që e kishim vendosur ne gjatë qeverisë Hoti, e cila konsistone në qëndrimin se s’pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme, duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo! E vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme”, ka shkruar Hyseni.

Tutje ai ka thënë se marrëveshja e përgjithshme i bënë lehtë të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Sipas Hyseni, përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vie përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, Kurti duhet të insistojë që s’pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi.

“Pra është formula serbe ‘përmes zbatimit deri te normalizimi’, ndërsa e jona duhet të jetë ‘përmes normalizimit deri te zbatimi’. Qeveria Kurti deri tani ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta. Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mosmbyllja e këtij problemi po reflekton shumë keq në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e invstimeve të huaja dhe në shumë fusha të tjera”, ka nënvizuar Hyseni.

Ai ka thënë se nuk e kupton pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kishin vendosur në vitin 2020 dhe nuk është shprehur optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale, të cilat sipas tij edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme pa një marrëveshje të përgjithshme dhe njohje.


MË SHUME NGA Lajme