Kurti apel serbëve të Kosovës: Ndryshoni targat, kurseni deri 5 mijë euro
Foto: Kryeministria e Kosovës
Lajme

Kurti apel serbëve të Kosovës: Ndryshoni targat, kurseni deri 5 mijë euro

Elmina Osmani/ RTK

(Plotësuar, ora 14:00) Konvertimi i targave të automjeteve nga ato ilegale në ato RKS i shërben rendit dhe ligjit, sigurisë publike dhe lëvizjes së lirë në të gjithë Republikën.

Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e  Qeverisë. E duke iu adresuar shtetasve të Kosovës të komunitetit serb, kryeministri deklaroi se përveç  kontributit të këtyre qëllimeve, në të njëjtën kohë mund të përfitohet nga lirimi nga taksa doganore, taksa administrative, tarifa për targën dhe tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit – që në vlerë totale kapin shifrën prej rreth 5000 euro.

“Në anën tjetër, vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje në pikat kufitare për ata që prezantojnë dokumente të lëshuara nga autoritet serbe nuk do ta pengojë lirinë e lëvizjes”, deklaroi kryeministri.

“Koha e pritjes për t’u pajisur me këtë dokument shtesë është mesatarisht 20 sekonda”.

Ndërkohë. Ai tha se për një masë të njëjtë për tash e 11 vjet, sa herë që shtetasit e Kosovës udhëtojnë drejt Serbisë, duhet presin ndërmjet 10 dhe mbi 60 minuta.

“Kam dëgjuar për lajmin e rremë se ID-të ose dokumentet serbe do të konfiskohen në kufi në këmbim të dokumentit për hyrje-dalje. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Kurti.

“Dokumenti për hyrje-dalje është dokument shtesë, i cili jepet pa pagesë dhe me të cilin mund të merren edhe shërbime të tjera në institucionet tona shtetërore gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë”, tha ai.

Kryeministri u shpreh se me 1 gusht, për aq sa ishte vendimi në fuqi, në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin lëshuar gjithsej 2,679 dokumente për hyrje-dalje.

“Asnjë incident nuk ishte shënuar dhe as edhe një ankesë nuk ishte deponuar”.

Kurti në mbledhjen e qeverisë deklaroi se askush nuk është imun ndaj lajmeve të rreme dhe dezinformatave ndërkaq që rreziku prej tyre është shumë i madh.

“Po jetojmë në një epokë sfiduese andaj na duhet kujdes i shtuar. Sot, dezinformimi paraqet rrezik për sigurinë kombëtare”.

Ai u bëri thirrje edhe një herë qytetarëve që të  përcjellën me vëmendje njoftimet nga qeveria dhe institucionet tjera vartëse, të verifikohen burimet e lajmeve dhe të mos lejoni që të dezinformoheni nga ata që synim mund ta kenë destabilizimin.

“Fushata jonë e informimit për regjistrimin e tabelave të veturave do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit, kur edhe do të rifillojnë së zbatuari dy vendimet tona”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

“Në fund, dua të ju falënderoj për durimin, për vetëpërmbajtjen dhe për pjekurinë që keni treguar të dielën e 31 korrikut dhe të hënën e 1 gushtit”.

Duke folur për barrikadat, ai tha se  dihet që rëndom ata që i vendosin në veri, nuk vijnë nga poshtë, por vendosen nga lart duke aluduar tek urdhrat që japin zyrtarët në Beograd.

“ Ato as nuk u përfaqësojnë juve qytetarët tanë, e as nuk u mbrojnë juve. Kurse në anën tjetër, Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë, edhe përbëhen nga qytetarët tanë pa dallim edhe janë në shërbimin të qytetarëve tanë pa dallim”.

Kurti: Reciprociteti për letërnjoftime fillon me 1 shtator

(E plotësuar, ora 10:55) Kryeministri i vendit, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të ndërrojnë targat e automjeteve në RKS. Këtë thirrje kryeministri Kurti e bëri nga Mbledhja e Qeverisë, në fjalën hyrëse të tij.

Kurti derisa tha se reciprociteti me palën serbe për targat dhe letërnjoftime do të fillojë të zbatohet më 1 shtator tha se ekzekutivi po përballet me lajme të rreme për këtë çështje.

Ai tha të këtë dëgjuar se thuhet që serbëve do t’iu konfiskohen dokumentet në kufi për çka tha se kjo nuk është e vërtetë.

Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës

Emine Hoti/ RTKlive

Sot do të mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Mbledhja fillon në ora 10:00, ndërsa nuk bëhet e ditur rendi i ditës.


MË SHUME NGA Lajme