Rishikimi i rezolutës, Krasniqi fton Kosovën ta ndjek hapin e Shqipërisë
BKT
Lajme

Rishikimi i rezolutës, Krasniqi fton Kosovën ta ndjek hapin e Shqipërisë

N. Mekolli /RTKlive.com

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohje për shtetin shqiptar dhe kryeministrin Edi Rama për adresimin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt.

Ai, në një postim ne Facebook, shkruan se ky është hapi i parë në rrugën tonë të përbashkët drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë.

 “Adresimi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me kërkesë për të rishikuar rezolutën e KE-së që merr për bazë raportin e Dick Martyt, është hapi i parë në rrugën tonë të përbashkët drejt konfirmimit të së vërtetës, të drejtës e drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai thotë se fton institucionet e Kosovës që t’i përgjigjen këtij rrugëtimi dhe të angazhohen në lobimin e miqve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht në Këshillin e Evropës, duke trokitur në çdo derë ku është e nevojshme, sepse e vërteta i duhet në radhë të parë shtetit të Kosovës, për ta hequr përgjithmonë perden e imazhit të rëndë që ka hedhur mbi UÇK-në, raporti fantom i Dick Martyt. 

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur kauzë të qartë dhe mision të shenjtë: lirinë e popullit të Kosovës. Asgjë nuk e zhbën e s’do të mund ta zhbëjë të vërtetën e kësaj kauze dhe këtij misioni. Mirënjohës dhe tejet falënderues ndaj Kryeministrit Rama për angazhimin e tij konkret në këtë rrugëtim për të vërtetën dhe të drejtën tonë”, ka shkruar Krasniqi.

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se Shqipëria i ka dorëzuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Europës rezolutën "Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.


MË SHUME NGA Lajme