PDK: Menaxhimi i keq nga Qeveria, risolli terrin në Kosovë  
Rtklive
Foto: PDK/Facebook
Lajme

PDK: Menaxhimi i keq nga Qeveria, risolli terrin në Kosovë  

Jeton Musliu / RTKlive

(Plotësuar) Lidhur me krizën energjetike në të cilën duket se shpejt do të përfshihet Kosova, me reduktime të rrymës, ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Kjo parti opozitare adresoi kritika ndaj Qeverisë Kurti, duke thënë se e gjithë kjo vjen si pasojë e mungesës së ideve dhe planeve për zgjidhjen e problemit me krizën energjetike.

Bernard Nikaj, Sekretar për marrëdhënie ndërkombëtare i PDK-së, tha se paaftësia e Qeverisë për menaxhim të krizës energjetike ka ndikuar që nga sot qytetarët të përballen me reduktime të energjisë.

Sipas Nikajt, terri me të cilin po shërbehen qytetarët e Kosovës sot, është produkt i një dështimi sistematik e kardinal disamujor të menaxhimit të KEK-ut nga ana e Qeverisë.

“Ja që me 15 gusht të 2022-tës, në mes të verës, qytetarët e Kosovës janë në terr. Prandaj, përgjegjës për këtë situatë, nuk janë punëtorët e KEK-ut. Përgjegjës për këtë situatë, është një faktor tjetër dhe ajo është Qeveria e Kosovës, e cila me qasjen ndaj menaxhimit të KEK-ut, me qasje pa plan, pa guxim dhe pa ide se si ta menaxhojë sektorin energjetik, e ka sjellë punën që ta ringjallë nga harresa kolektive, doktrinën e reduktimit të energjisë elektrike”, tha ai.

PDK  e konsideron të pafalshme që qytetarët e Kosovës të mësojnë në mbrëmje se të nesërmen nuk do të ketë energji elektrike dhe që në kushtet optimale të prodhimit të energjisë elektrike të ketë reduktime.

PDK thërret konferencë për media, temë është kriza energjetike

(Plotësuar) Në lidhje me krizën energjetike në vend, PDK-ja që është në opozitë, ka paralajmëruar një konferencë për media.

Kjo pasi KEDS-i deklaroi se është duke operuar me humbje për shkak të çmimit ttë lartë të rrymës dhe ka paralajmëruar nga dita e sotme, do të ketë reduktime të furnizimit me energji elektrike.

Sipas KEDS-it, reduktimet do të jenë 6 orë me rrymë e 2 orë pa të.

Ndërkohë, PDK-ja dhe partitë tjera opozitare e kanë bërë përgjegjës qeverinë për këtë krizë dhe mosmarrjes së masave me kohë.

Konferenca e PDK-së mbahet në orën 13:30 në selinë e PDK-së në Prishtinë.

Çitaku: Sigurimi i energjisë është çështje e sigurisë kombëtare

Blerim Halimi / RTKlive

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj vendimit që nga sot të fillojnë reduktimet e energjisë elektrike për qytetarët e vendit.

“6-2 orari i reduktimeve në mes të gushtit, kur niveli i konsumit është i ultë. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ajo ka thënë se dikush duhet të japë përgjegjësi sipas saj për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarsinë energjetike të Kosovës.

“Sigurimi i energjisë është çështje e sigurisë kombëtare. Këto janë betejat e vërteta, e jo luftërat imagjinare në kokën e Kryeministrit”, ka shkruar tutje Çitaku.

Reduktimet, sipas KEDS-it, do të nisin nga ora 08:00 dhe konsumatorët do të kenë gjashtë orë energji elektrike dhe dy orë reduktime. KEDS-u u arsyetua se vendimi për reduktime është marrë për shkak se nuk ka mundësi financiare për blerjen e energjisë nga jashtë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rekorde.


MË SHUME NGA Lajme