Ambasada britanike: Takimi në Bruksel mundësi për normalizim marrëdhëniesh
BKT
Lajme

Ambasada britanike: Takimi në Bruksel mundësi për normalizim marrëdhëniesh

Blerim Halimi / RTKlive

Në prag të takimit të nesërm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Ambasada Britanike pret që liderët e të dy vendeve të bëjnë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sër Stuart Peach, foli dje me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin serb, duke nënvizuar shqetësimin e Mbretërisë së Bashkuar për rritjen e tensioneve dhe gjuhën e nxehtë të ditëve të fundit.

“Tani liderët kanë mundësinë dhe përgjegjësinë në bisedimet e tyre në Bruksel për të vënë qytetarët e tyre në rend të parë, për të ndërtuar më tej arritjet e deritanishme në dialog dhe të bëjnë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës britanike në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të enjten në mëngjes në Bruksel, ku të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajçak.

Ky do të jetë takimi i parë ndërmjet dy liderëve në Bruksel pas më shumë se një viti, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në fund të takimit përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell do të paraqitet para mediave për një deklaratë.


MË SHUME NGA Lajme