Reka e Llapashtica, një jetë me fotografinë
Rtklive
Foto / RTK
Kulturë

Reka e Llapashtica, një jetë me fotografinë

Shqipe Gashi/RTKlive

Fotografia i ka fillet tek shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.

Në programin e mëngjesit në RTK1, ishin të ftuar dy fotografët e njohur Hazir Reka dhe Arben Llapashtica, për të folur pikërisht për fotografinë në ditën e saj botërore.

Ata treguan përvojat e tyre profesionale si fotograf. Hazir Reka, i cili ka filluar qysh në vitin 1981 të merret me këtë profesion, ka thënë se çdo herë e më shumë i është shtuar dashuria për këtë punë. Ai tha se përpara ka qenë shumë më e vështirë të merresh me fotografinë, sidomos në periudhën kur të gjithë kanë punuar me film, derisa tash kur  teknologjia ka përparuar është më e lehtë.

“Unë kur kam filluar të punoj në revista qysh në 1982 për “Botën e Re”, mandej kam kaluar në “Zëri”. Më pas në shumë vende të Ballkanit kam mbuluar shumë ngjarje me fotografi deri në fillimin e luftës. Në atë kohë ka qenë shumë problem sepse kemi qenë pak të kufizuar, ndonjëherë nuk kemi pas filma të mjaftueshëm, ndonjëherë është dashur me pritë mos po vjen ndonjë ngjarje më e rëndësishme dhe mund të mos kishim poza për ta mbuluar ngjarjen. Si për mua, edhe për krejt kolegët ka qenë shumë më e vështirë se tash”, tha Reka.

Ndërsa fotografi Arben Llapashtica për projektin që është duke e punuar tha se ka një arkiv me fotografi nga e gjithë Kosova. Ai tha se përmes rrjeteve sociale ka kërkuar që t’i ofrohen fotografi, e ku ka pasur shumë familjarë që  i kanë dërguar fotografi dhe pastaj ato i ka digjitalizuar dhe i ka postuar.

“Unë kam një arkiv me fotografi prej krejt Kosovës. Kam bërë thirrje përmes rrjeteve sociale që njerëzit të më ofrojnë fotografi. Ka pasur familjarë që me kanë ofruar shumë fotografi e unë pastaj i kam digjitalizuar. Për fat të keq në arkivin e Kosovës në ato kuti që unë kam hasur ka pasur fotografi që nuk i dihet autori e as viti, por kur ato foto i postoj në rrjete sociale  ka raste kur njerëzit komentojnë për datat e mundshme dhe vendet e caktuara”, ka thënë Llapashtica.

Për më shumë ndiqeni videon e mëposhtme:


MË SHUME NGA Kulturë