Nagavci: Paralajmërimet e sindikalistëve për grevë, të papranueshme -Video
BKT
Lajme

Nagavci: Paralajmërimet e sindikalistëve për grevë, të papranueshme -Video

Donika Sherifi/RTK

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka quajtur të papranueshme paralajmërimet e sindikalistëve të arsimit për hyrjen në grevë javën e ardhshme. Me këto veprime, thotë se do të cenohen të drejtat e nxënësve për të mësuar. Ajo theksoi se në projektligjin e ri të pagave janë kujdesur që të gjithë mësimdhënësit të trajtohen barabartë. Nagavci foli edhe për çështjen e bartjes së shamive në shkolla.

Paralajmërimin e sindikatave për greva në arsim e ka quajtur të papranueshme ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila thotë se kjo do t'i cenonte të drejtat e nxënësve. Ajo zgjodhi të shtunën të paraqitet në një konferencë për medie që të flasë edhe për përgatitjet e vitit të ri shkollor.

 “Ministria e Arsimit  Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit  në koordinim edhe me komunat  i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor. Duhet cekur se mos mbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore të fëmijëve për arsim", tha ajo.

Nagavci bëri të ditur se tashmë ka filluar edhe shpërndarja e teksteve shkollore, derisa më 1 shtator pritet të fillojë mësimi me abetaren e re të përbashkët me Shqipërinë.

 “Ka filluar shpërndarja e teksteve shkollore dhe sot që po flasim ekipet e ministrisë së bashku me shtëpitë botuese janë duke shpërndarë tekste nëpër komuna. dhe do të vazhdoj edhe ditëve në vijim. Më 1 shtator vogëlushët e klasës së parë të kenë abetaren në duart e tyre, kemi planifikua edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë ka shprehur gatishmëri dhe dëshirën që të jetë më 1 shtator këtu në Kosovë që të përurojmë bashkërisht këtë abetare dhe njëjtë ne do të jemi në fillimin e vitit të ri shkollor në Tiranë.”, tha Nagavci.

E pyetur rreth debatit për lejimin ose jo të bartjes së shamive në shkolla dhe kërkesën për ndryshimin e udhëzimit administrativ, Nagavci sqaroi se kjo është më shumë një fushatë e pabazuar.

“Nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për shaminë, nuk ka pasur asnjëherë aq sa unë di. Gjithë kjo fushatë që e shihni kohën e fundit nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme. Është e përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe institucioneve publike. Udhëzimi do te mbetet ne fuqi dhe do të shohim se si po e rregullojmë tutje vetëm në aspektin formal ligjor", u shpreh ajo.

Nagavci në fund të konferencës shprehu besimin se do të reflektohet nga sindikalistët arsimorë dhe mos të ketë vonesa në fillimin e vitit të ri shkollor.


MË SHUME NGA Lajme