Parimi për reciprocitet, fundamental për marrëveshjen Kosovë - Serbi -Video
RTKlive
Emisarët Miroslav Lajçak nga BE-ja dhe Gabriel Escobar nga SHBA-ja, kanë qëndruar sot për në vizitë në Kosovë, në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi. Mesesazhet dhe eventualisht efekti i vizitës së emisarëve Lajçak e Escobar, janë temë debati sonte në emisionin “RTK Prime”.
Të ftuar në studio janë, ish ambasadori i Kosovës, Anton Berisha, politologu Dorajet Imeri dhe Ragmi Mustafi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës.
Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, foli për njërën nga pikat e Qeverisë së Kosovës lidhur më marrëveshjen me Serbinë ku njëra nga pikat është edhe ajo për reciprocitetin e të drejtave të barabarta në mes shqiptarëve të Luginës dhe serbëve në Kosovë.
“Nuk ka asnjë arsye që shqiptarët e Luginës të kenë më pak liri, apo më pak të drejta, më pak mundësi. Konsideroj se një marrëveshje që do të duhej të arrihej në mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte historike dhe do të duhej të rivendoste kursin drejtë Bashkimit Evropian, që kupton trajtim të pakicave në mënyrë të drejtë”, tha Mustafi.
Kjo sipas tij, do të mundësonte që mos të kishte vatra krizash në të ardhmen. “Pa trajtimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk mundë të ketë një paqe të qëndrueshme në reciprocitet me serbët në veri të Kosovës, në mënyrë që për gjeneratat që po vinë të mos u lihen konflikte”, tha Mustafi
Sipas tij, një kërkesë për reciprocitet të tillë, shqiptarët e Luginës e kanë bërë që në vitin 2006.
Kurse, ish ambasadori i Kosovës, Anton Berisha, vizitën e emisarëve të dialogut në Kosovë, Lajçak e Escobar, e ka cilësuar si një ofensivë në të mirën e Kosovës.
“Është një ofensivë në të mirën e Kosovës, që përfaqësuesi amerikan dhe përfaqësuesi evropian janë prezent në rajon, konkretisht në Kosovë dhe serioziteti i tyre ndaj çështjes së Kosovës, për fat të keq vet Kosova, qeveria e saj, kryeministri se ka marr seriozisht këtë temë, qarkullojnë lajme të ndryshme, sepse kryeministri ka qenë jo transparent dhe se menjëherë pas një takimi të rëndësishëm në Bruksel, në vend që të kthehet në vendin e vet ai ka munguar për ditë të tëra dhe në fakt opinioni kosovar është informuar prej presidentit serb, në variantin e tij dhe pastaj prej emisarëve, për atë se çfarë ka ndodhur”, tha ai.
Sipas Berishës, kryeministri ose nuk është duke i kuptuar, ose qëllimisht është duke u sjellë në mënyrë të tillë, në të cilën nuk donë të ballafaqohet me procesin e rëndësishëm të asaj që e quajmë marrëveshje përfundimtare.
Dorajet Imeri, politikolog thotë se Kosova dhe Serbia nuk kanë problem për targat, sepse kjo është një marrëveshje e arritur më parë, por problemi, sipas tij, është reduktuar për targat edhe pse ai është diku tjetër.
“Serbisë do të duhej ti bëhet një presion më i madh për të ndërrua qasjen ndaj Kosovës, jo për të zgjidhur çështjen e targave. Parimi i reciprocitetit është parimi fundamental, për zgjidhjen e problemit. Ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur do të mund të na faktorizonin dhe të na jepnin përkrahje në këto momente. Nëse ne i humbim këto mundësi që na janë dhenë. në bazë të rrethanave, do të ishin momente të humbura për Republikën e Kosovës.
Sipas tij, Kosova është tepër statike në këtë fazë, në procesin e një zgjidhje kreative për shtrirjen e sovranitetit edhe në veri të vendit. Trazirat në veri do të ishin shumë të dëmshme për Kosovën dhe dihet se Serbia e dëshiron këtë dhe serbet atje janë të instrumentalizuar nga Beogradi.
Për më shumë ndiqni videon në vazhdim:























