Pas Kosovës, emisarët shkojnë në Serbi, në kërkim të një dakordimi
Jeton Musliu / RTKlive
Vizitën e tyre e përfunduan në Kosovë, e mesazhet që dhanë, u interpretuan ndryshe nga analistë e ndryshe nga politikanë.
Sidoqoftë, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-serbi, sllovaku Miroslav Lajçak dhe homologu i tij amerikan, Gabreil Escobar, morën garanci nga Prishtina zyrtare se 1 shtatori do të jetë ditë si gjithë të tjerat, pavarësisht fillimit të zbatimit të masës së reciprocitetit ndaj qytetarëve që kanë dokumente të Serbisë e që duan të hyjnë në Kosovë.
Para se sot në nisën drejt Beogradit, ata u ndalën në Mitrovicë, ku u pritën nga drejtues të Listës Serbe.
Ndërkohë, ishte Escobar që dy ditë më parë erdhi në Prishtinë, dhe përveç kryeministrit Albin Kurti i cili nuk ndodhej në Kosovë, ai u prit nga presidentja Vjosa Osmani dhe liderët e partive opozitare. Sidoqoftë, një ditë më vonë, atij iu bashkua edhe emisari evropian, Lajçak, me të cilin takuan Presidenten osmani, kryeministrin Kurti e liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi të PDK-së, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.
Pas këtyre takimeve, nuk pati shumë deklarime, por ato që u thanë ishin me mesazhe të arritjes të gjetjes së një zgjidhjeje.
Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë -Serbi ka treguar përmes një shkrimi në Tëitter se për çfarë folën në Presidencë e Qeveri kur takuan bashkë me emisarin amerikan, Escobar, presidenten, Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.
“Fillova sot misionin e përbashkët me DAS Escobar në Kosovë, me një diskutim thelbësor me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ne folëm për rëndësinë e shmangies së tensioneve të reja në veri të Kosovës”.
Gjithashtu Lajçak ka treguar edhe për takimin që ka pasur në objektin qeveritar me shefin Qeverisë, Albin Kurti.
“Me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi patëm një bisedë të thellë lidhur me takimin e nivelit të lartë të javës së kaluar, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes si dhe rrugën përpara të Kosovës përmes dialogut”, ka shkruar Lajçak.
Përveç takimeve me liderët shtetëror, takim pati edhe me liderët opozitar.
“Sot në Kosovë unë gjithashtu takova edhe liderët e opozitës, për të diskutuar me ta mbi dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Unë e mirëprita mirëkuptimin e tyre dhe mbështetjen për dialog, për normalizimin e marrëdhënieve në interes nacional për Kosovën”, ka shkruar Lajçak.
Emisari amerikan ka thënë se palët në takime i kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, derisa Lajçak ka folur për shqetësimin që ka komuniteti ndërkombëtar. Sipas tij ajo që u pa me 31 korrik nuk duhet lejuar të përsëritet më 31 gusht.
Pas takimeve që patën në Presidencë e Kryeministri, bashkë me të dërguarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, emisari nga Amerika Gabriel Escobar tregoi se janë siguruar nga palët se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator.
“Mendimi im i vetëm është se unë jam këtu për të dhënë mbështetjen për të gjetur një rrugë përpara për të gjitha këto çështje të vështira. Detajet se si shkojnë përpara janë në të vërtetë për dialogun, por unë do të doja të sigurohesha që njerëzit ta kuptojnë që vizita ime këtu ishte në të vërtetë për të treguar mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Të dyja palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim, nuk duan dhunë më 1 shtator. Pra tani jemi këtu për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe i gjithë ai optimizëm të përkthehen në një propozim konkret”.
Qeveria e Kosovës ka dalë me njoftim për takimin e kryeministrit Albin Kurti me emisarët, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak.
Disa orë pas takimit, nga Qeveria e Kosovës kanë lëshuar njoftim për media rreth asaj se çfarë bisedoi kreu qeveritar me dy emisarët nga Amerika dhe Evropa.
“Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. Marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut”, thuhet në komunikatën qeveritare.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka shkruar për takimet që ka zhvilluar me emisarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe atij nga Evropa, Miroslav Lajçak.
Krasniqi ka treguar se në të dyja këto takime temë ishin e zhvillimet rreth procesit të Dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në këto takime kam shprehur qëndrimin konsistent të PDK-së në mbrojtje të interesave të shtetit tonë, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur të frytshëm takimin me të dërguarin e posaçëm për dialogun Gabriel Escobar.
“Gjatë darkës në rezidencën e Ambasadorit amerikan Jeffrey M. Hovenier, me të dërguarin e posaçëm për dialogun z. Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit, zhvilluam një diskutim të frytshëm për gjetjen e zgjidhjeve rreth zbatimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.
Sot Escobar e Lajçak udhëtojnë drejt Beogradit ku do të priten nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe drejtues të tjerë të shtetit serb.























