12 muaj burgim për hyrje në sistemet kompjuterike
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
I akuzuari S.G hyri në sistemet kompjuterike dhe për këtë vepër penale është shpallur fajtor dhe është dënuar me 12 muaj burgim si dhe me gjobë 2 mijë euro.
Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit S.G për shkak të veprës penale Hyrje në sistemet kompjuterike.
“I akuzuari S.G është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 01.10.2021 e tutje si dhe dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro” thuhet në njoftimin e Themelores në Prishtinë.
Bëhet e ditur se me aktvendim të veçantë të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në fillimin e ekzekutimit të dënimit - sanksionit penal, pasi aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm menjëherë meqë palët kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës.























