Sot përfundon Seminari ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë Shqiptare
BKT
Kulturë

Sot përfundon Seminari ndërkombëtar për Gjuhën dhe Letërsinë Shqiptare

Albana Bajrami/Radio Kosova

Edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare përfundon sot punimet në Universitetin e Prishtinës. Organizatorët e seminarit, thanë për Radio Kosovën se ky edicion jubilar ka qenë intensiv dhe shumë i suksesshëm. Ndërsa, u bë e ditur se përveç seminaristëve nga shumë vende të botës, u është mundësuar ardhja edhe albanologëve nga Rusia dhe Ukraina.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili përfundon sot punimet, është vlerësuar i suksesshëm, ku kanë marrë pjesë mbi 150 studiues, albanologë e studentë nga vende të ndryshme të botës. Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, tha për Radio Kosovën se ky seminar ka pasur një numër të madh të ligjëratave, aktivitete të shumta, referime shkencore, duke trajtuar temat bosht në gjuhësi, letërsi dhe kulturë.

“Në sesionin e gjuhësisë, sivjet temë bosht kemi pasur “Shqipja në kontakt”, në sesionin e Letërsisë, temë kemi pasur “Letërsia shqipe në kontekstin komparatist” dhe në Kulturologji, temë bosht kemi pasur “Dezinformimi dhe propaganda në mediet sociale”. Në përgjithësi ka qenë një edicion i suksesshëm me pjesëmarrje shumë të madhe të seminaristëve nga vende të ndryshme të botës”, tha Munishi

Munishi, bëri të ditur se në këtë seminar u është mundësuar ardhja edhe albanologëve nga Rusia e Ukraina, ndërsa kanë marrë pjesë seminaristë nga Gjermania, Polonia, Çekia e shumë vende të tjera.

“Kemi pasur dy pjesëmarrës nga Rusia, për të cilët kemi marrë leje nga autoritetet e vendit tonë, që të lejohet pjesëmarrja e tyre në seminar. Bëhet fjalë për albanologë të shquar që janë marrë me albanologji për një periudhë të gjatë dhe që kanë emër në fushën e albanologjisë. Kemi pasur edhe një pjesëmarrëse nga Ukraina, por e cila jeton në Bullgari”, tha Munishi

Programi bazë i Seminarit, ka përfshirë kurse intensive të mësimit të shqipes, ligjërata të veçanta të gjuhësisë, letërsisë e kulturës shqiptare, tryeza e referime shkencore, program kulturor me vizita e ekskursione në disa vende të Kosovës.


MË SHUME NGA Kulturë