A ka të drejtë Qeveria t`i kërcënojë grevistëst me ndalje të pagave?
Ardiana Hajzeri Radio Kosova
Paralajmërimin e qeverisë se punëtorëve, të cilët kanë hyrë në grevë, do t’u ndalen pagesat, njohësit e çështjeve ligjore e konsiderojnë të padrejtë. Madje, ata kërkojnë nga Prokurori i Shtetit, që ta trajtojë me urgjencë këtë çështje. Ndërkohë, drejtues të grevës kanë paralajmëruar që t’i drejtohen gjykatave për këtë çështje dhe se greva, sipas tyre, do të vazhdojë deri në realizmin e kërkesave nga ana e qeverisë.
Në ditën e parë të grevës, drejtues të Ministrisë së Financave kanë paralajmëruar se të gjithë të punësuarit që janë bërë pjesë e grevës, do t’u ndalen pagesat. Sipas ligjit, një qëndrim i tillë i qeverisë është i padrejtë, për arsye se e drejta për grevë është e garantuar përmes ligjeve të veçanta, thotë në një përgjigjeje për Radio Kosovën, Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi:
“ E drejta në grevë është e garantuar përmes ligjeve të veçanta dhe po ashtu cenimi i saj është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk guxon të interpretohet ligji në atë mënyrë siç ka bërë Ministria e Financave”, tha Shala.
Po ashtu, ai tha se në rast se Ministria e Financave nuk tërhiqet nga ky paralajmërim, atëherë Prokurori i Shtetit duhet të hetojë këtë rast.
“ Nëse nuk kemi reflektim nga ana e Ministrisë se Financave patjetër duhet të inkuadrohet Prokurori i Shtetit për të hetuar nëse në rastin konkret kemi të bëjmë me përgjegjësi penale apo jo në drejtim të veprës penale i të drejtës në grevë”, u shpreh Shala.
Edhe përfaqësues të BSPK-së paralajmërimin e qeverisë, po e shohin si kërcënim antiligjor dhe shkelje të Ligjit për Greva.
Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës se në rast të zbatimit të këtij paralajmërimi, do t’i drejtohen organeve të drejtësisë dhe Unionit të Sindikatave Evropiane:
“ Patjetër do t’i drejtohemi gjykatave përgjegjëse por do t’i drejtohemi në të njëjtën kohë dhe Unionit të Sindikatave, sepse ne jemi pjesë e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës. Dhe për këtë grevë në i kemi njoftuar në vazhdimësi dhe kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm”, tha Jasharaj.
Ndryshe, Udhëheqësit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura kanë bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë.
Pas paralajmërimit të Ministrisë se Financave ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të cilin e ka quajtur kërcënim. Po ashtu në mbështetje të sindikalistëve kanë dalë partitë opozitare.























