Molliqaj: Marrëveshja për dokumente është legalizim i trajtimit etnik
Elmina Osmani/ RTK
Partia Socialdemokrate e Kosovës, ka zhvilluar një aksion simbolik në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Me këtë aksion, ajo shprehu qëndrimin e saj se procesi i dialogut Kosovë-Serbi, ka pësuar ndryshime.
Megjithatë, sipas PSD-së, këto ndryshime janë negative.
Kreu PSD-së, Dardan Molliqaj tha se me dakordimi i kryeministrit Kurti me presidentin e Serbisë, Vuçiq, ka legalizuar dokumentet që Kosovën e trajtojnë si pjesë të Serbisë.
“Ky as nuk është reciprocitet. Ky është veç legalizim i trajtimit etnik”, tha Molliqaj.

Sipas tij, krejt çka mund të thuhet është se nëse deri më tani ka pasur probleme dhe diskutime mes Kosovës dhe Serbisë, tani është krijuar entiteti i tretë.
“Pra, entiteti i veriut”, tha Molliqaj.
Kryetari i PSD-së foli edhe për marrëveshjen për energjinë, e që sipas tij veriun e trajton ndryshe.
“Edhe inkasimin edhe rrjetin edhe regjistrimin e orëve e bën kompania e Serbisë. Tash i keni dokumentet të cilat janë të vjetra, por që janë legalizuar tash e që e trajtojnë edhe veriun edhe Kosovën si pjesë të Serbisë”, tha kreu i PSD-së.
Sipas tij, tani Qeveria e Kosovës dhe policët kosovarë në kufi, i njohin këto. “Dhe, po shkojmë drejt marrëveshjeve të tjera, që e trajtojnë veriun të veçantë e që është edhe Asociacioni”, tha Dardan Molliqaj nga PSD.
Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, pritet të fillojë se zbatuari me 1 shtator.























