Mblidhet Grupi koordinues kundër dhunës në familje
F.Sertolli / RTKlive.com
Grupi koordinues ndërministror kundër dhunës në familje, të mërkurën është takuar me qëllim vlerësimin e luftës ndaj fenomenit të dhunës ndaj grave dhe vajzave si dhe dhunës në familje. Ky grup është kryesuar nga koordinatorja kombëtare, Nita Shala.
Me këtë rast ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është shprehur se 'lufta ndaj fenomenit të dhunës ndaj grave dhe vajzave si dhe dhunës në familje, mbetet luftë e pa kompromis’, duke këruar që të ndërmerren veprime konkrete për ngritjen e efikasitetit të këtyre institucioneve.
“Në takim u raportua nga institucionet përgjegjëse progresi drejt zbatimit të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, zhvillimet drejt hartimit të projekt-Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje”, thuhet në një komunikatë nga Ministria e Drejtësisë.
Në këtë takim po ashtu u raportua mbi punimet e Grupit të Përgjigjes Emergjente dhe hapave drejt krijimit të Komisionit Profesional që do të bëjë analizën e dakorduar nga anëtarët e Grupit të Përgjigjes Emergjente.
Ndërkaq, pjesëmarrësit diskutuan edhe mbi data-bazën për mbrojtje nga dhuna në familje, rëndësinë dhe potencialin e saj si dhe planifikimi i fushatës sensibilizuese '16 ditë aktivizimi kundër dhunës në familje'.
Ndryshe, në takim morën pjesë përfaqësues nga policia, prokuroria, mbrojtësit e viktimave, gjykata, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Barazi Gjinore, Avokati i Popullit, dhe përfaqësues të institucioneve partnere ndërkombëtare e organizatave të shoqërisë civile në takimin e radhës të Grupit Koordinues Ndër-Ministror kundër Dhunës në Familje, kryesuar nga Koordinatorja Kombëtare, Nita Shala.























