Diplomati slloven, Anzej Franges, emërohet emisar për Ballkanin - Video
BKT
Lajme

Diplomati slloven, Anzej Franges, emërohet emisar për Ballkanin - Video

Donika Sherifi RTK

Katër emisarëve të tjerë evropianë e amerikanë për Ballkanin, u është shtuar edhe slloveni Anzej Franges, i cili do të ndihmojë në lehtësimin e dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Emërimi i këtij emisari, nga analistët politikë po shihet si trysni për marrëveshjen e fundit. Ndërsa emisari amerikan Gabriel Escobar në Bled ka thënë se duhet një marrëveshje për pakicën serbe në Kosovë.

Pas SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe e Gjermanisë, edhe Sllovenia ka caktuar një emisar për Ballkanin Perëndimor. Diplomati slloven Anzej Franges tani do të merret me këtë rajon. Sipas ministres së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, dikur raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, me këtë vendim shteti slloven do të mund t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian bashkë edhe me situatën në rajon.

Në anën tjetër, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të mërkurën ka përsëritur se duhet një marrëveshje për pakicën serbe në Kosovë.

Kërkesën për Asociacionin, Escobar e kishte thënë gjatë vizitës së tij në Kosovë, që sipas analistëve shihet si presion ndaj palës Kosovare.

Analisti politik, Arton Demhasaj tha për RTK-në se të gjitha deklaratat edhe të përfaqësuesve Lajçak edhe Escobar po edhe zyrtarëve tjerë qoftë nga Uashingtoni apo edhe Brukseli që kanë ardhur në Kosovë kanë thanë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arrit në Bruksel.

E sipas Demhasajt, kjo i bie se një nga ato marrëveshje është edhe ajo e Asociacionit.

“Kështu që ka kërkesa nga ana e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës që me fillua me procedurat e krijimit të asociacionit dhe mbetet vetëm me u pa se si do të lëviz qeveria jonë karshi këtyre kërkesave duke marrë parasysh se ne kemi një vendim të gjykatës kushtetuese e cila i jep obligime qeverisë sonë që ai vendim duhet të merret parasysh kurdo që fillon procedura për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Demhasaj.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se tani temë boshte në dialog është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes dy shteteve.

“Kushtëzimi tani veçse është në drejtim të Republikës së Kosovës, sepse pala serbe e ka arsyetuar që është kushtëzua në një formë për letërnjoftimet,tanimë kushtëzimi do të jetë nga ana e palës shqiptare, nga presioni ndërkombëtar ku ne do të jemi të detyruar të vazhdojmë me themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo do të jetë në tavolinë” shtoi ai.

RTK ka pyetur Qeverinë e Kosovës se cilët janë hapat që do t’i ndërmarrin karshi themelimit të asociacionit, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

E qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në substancë ka njohjen reciproke.

Ndryshe, ditë më parë, emisari Escobar potencoi se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë asociacionin.


MË SHUME NGA Lajme