`Etno Fest` nis nesër me 60 ngjarje e program të pasur artistik
BKT
Kulturë

`Etno Fest` nis nesër me 60 ngjarje e program të pasur artistik

Majlinda Doda/ Radio Kosova

Festivali i dymbëdhjetë i arteve dhe kulturës tradicionale `Etno Fest`, fillon nesër në fshatin Kukaj. Organizatori i festivalit, Skënder Podvorica, thotë për Radio Kosovën se këtë vit, ky festival karakterizohet me mbi 60 ngjarje, ndërkohë që shoqërohet edhe me një program të pasur artistik.

Në fshatin Kukaj të Komunës së Prishtinës, nesër do të fillojë Edicioni i dymbëdhjetë i Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale, “Etno Fest”. Ky festival këtë vit, ngërthen në vete mbi 60 ngjarje të rëndësishme artistike e kulturore, thotë për Radio Kosovën organizatori i Festivalit, Skënder Podvorica.

“Ka mbi 60 evente në të cilat përfshihen performansa artistike, etno-performansa, ekspozita të ndryshme, etno-neja, ritet e vjetra kulturore që i ka “Etno Fest”. Ky edicion i dymbëdhjetë, këtë vit temë qendrore e ka dashninë, prandaj edhe shfaqjet edhe aktivitet e tjera që janë përzgjedhur, thuajse në temë specifike trajtojnë dashninë”, tha Podvorica.

Grupi Okarinat, Frederik Ndoci, Nezafete Shala, janë vetëm disa nga emrat që do të jenë pjesë e “Etno Fest-it”. Organizatori Podvorica është optimist se këtë herë ky festival do të ketë vizitorë të shumtë.

“Edhe gjatë pandemisë kur është mbajt me ditë të reduktuara ky festival,  personat kanë ardhur edhe e kanë shijuar festivalin, sepse është hapësirë e madhe dhe personat kanë mundur të mbajë distancë. Tash jemi liruar, pritet numri i vizitorëve edhe më i madh. Festivali është pa pagesë, është i hapur, thjesht të vish, ta shijosh programin dhe të mbushesh dashni”, shtoi ai.

Edhe në këtë edicion, për dashamirët e artit skenik do të ketë program  të pasur prej tetë shfaqjesh teatrale. Përveç ekspozitës kolektive të 30 artistëve, do të ketë edhe shtatë ekspozita personale. Ekspozitat do të jenë te hapura përgjatë gjithë festivalit ne galeritë dhe hapësirat e shumta të Etno kompleksit në Kukaj. “Etno Festi” mbahet nga data 3 deri me 9 shtator, ndërsa hapja do të bëhet ditën e shtunë, nga ora 18 e 30.

 


MË SHUME NGA Kulturë