Mbahet takimi i sindikalistëve me Lidhjen Demokratike të Kosovës -Video
V.Thaçi/RTKlive
(E plotësuar 11:30) Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku e ka pritur sot në takim kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharin.
Ai ka thënë se konsiderojnë se dialogu mes sindikatave dhe qeverisë së Kosovës është bazë e funksionimit shoqëror demokratik të Kosovës, për të tejkaluar situatën e krijuar, raporton RTKlive.
“Ne kemi nevojë për dialog, dhe për mirëkuptim. Gjëja e fundit që konsiderojmë është penalizmi i mësimdhënësve tanë në këtë krizë të rëndë ekonomike ” ka thënë Abdixhiku pas takimit.
Ai ka shtuar se si LDK i mirëkuptojnë kërkesat e mësimdhënësve, por tha se gjithashtu kthimi në bankat shkollore për nxënësit tanë është i domosdoshëm.
Kurse Jasharaj nga SBASHK e ka kritikuar Qeverinë për situatën e krijuar.
Ai ka lutur Abdixhikun dhe deputetët e LDK-së që të mos pushojnë së vepruari e bashkë me ata të gjejnë një derë hapur në qeveri.
“Qeveria po mundohet ta shtypë zërin sindikal”, ka thënë Jasharaj.
“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që kushdo që mundet ta bëjë një hap pozitiv drejt dialogut. I kemi thënë kabinetit të saj po dhe jemi në pritje, datë nuk kemi. Uroj që presidentja t’i shohë palët të barabarta. Po urojmë edhe te zoti që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë të fillojë dhe kemi shpresa edhe te ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, ka thënë Jasharaj.
Sindikalistët do të takohen me partitë opozitare
Venera Xhoxhaj /RTK
Sot në orën 11 pritet të mbahet takimi sindikalistëve me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kurse në orën 14 do të jenë në Partinë Demokratike të Kosovës.
Kështu kanë konfirmuar për RTK-në zyrtarë të këshillit grevistë.























