Krasniqi: Hardh Fest e ka kthyer Rahovecin në pikëtakim
RTKlive
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka qëndruar në Rahovec, ku në kuadër të festivalit Hardh Fest ka takuar vreshtarët e kësaj komune dhe ka vizituar bodrumin e verës Stone Castle.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, thotë se qëndroi në shoqërinë e miqëve e dashamirëve dhe bashkëbisedoi me qytetarë të shumtë nga e tërë Kosova.
"Në qytetin e rrushit, vreshtave e verërave - në Rahovec, në një atmosferë miqësore e mikpritëse, u mblodhëm për "Ca kokrra rrushi" në Hardh Fest", shkruan kryetari i PDK-së.
Krasniqi, në vitin 2015 si Ministër i Bujqësisë pati ofruar mbështetje institucionale për krijimin e Hardh Fest-it.
"Jam krenar që si Ministër i Bujqësisë e kam mbështetur krijimin e këtij festivali në vitin 2015, sepse Hardh Fest e ka kthyer vëmendjen kah qyteti i Rahovecit, duke u shndërruar çdo shtator në pikëtakim për dashamirët e rrushit, verës dhe muzikës nga Kosova dhe përtej", shprehet Krasniqi.























