Kosova vazhdon lobimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Berianë Mustafa/Radio Kosova
Ministria e Jashtme e Kosovës thotë për Radio Kosovën se janë optimist që deri në fund të vitit presin lëvizje pozitive për sa i përket fazës së parë të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ndërsa Daniel Holtgen, zëdhënësi i Këshillit të Evropës, ka thënë se aplikimi i Kosovës është dërguar te Komiteti Ministror.
Kosova ka aplikuar me 12 maj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga ajo datë ende nuk ka asnjë lajm nëse Komiteti Ministror do ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës gjatë këtij viti.
Në një përgjigjeje të shkurtër për Radio Kosovën Daniel Holtgen, zëdhënës i Këshillit të Evropës, ka thënë se aplikimi i është dërguar Komiteti Ministror .
Kreshnik Ahmeti, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në përgjigje me shkrim, deklaroi për Radio Kosovën se edhe më tej është duke u vazhduar me lobimin intensiv për sigurimin e mbështetjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Përveç takimeve që realizohen nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strasburg, me Përfaqësuesit e Përhershëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, lobimi po bëhet edhe te kryeqytetet e vendeve anëtare dhe misionet e tyre diplomatike në Prishtinë. Përderisa Këshilli i Evropës është një organizatë shumëdimensionale, lobimi po bëhet nga institucione të ndryshme shtetërore dhe nga organizata të shoqërisë civile, të gjitha këto të koordinuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,”, shkruan në përgjigjën e MPJD.
Aplikimin për anëtarësim e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.
Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret teknike për anëtarësim. Por duke qenë se vendimi është politik, situata mund të komplikohet nëse rasti shkon për shqyrtim në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
“Për sa i përket procedurës, është një procedurë bukur e komplikuar, veçanërisht nëse rasti shkon për shqyrtim në Asamblenë e Përgjithshme. Marrë parasysh këto proceduar dhe mënyrën e punës brenda Këshillit të Evropës, ka pak shpresë që të përfundohet brenda këtij viti procesi i anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës”, thotë Shala për Radio Kosovën.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë se si rezultat i angazhimit dhe koordinimit me vendet partnere, deri në fund të vitit presin lëvizje pozitive për sa i përket fazës së parë të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të medieve, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.























