Analistët: Lajçak me këshilltarë gjerman e francez, fazë e re në dialog
BKT
Foto: Miroslav Lajçak/ Twitter
Lajme

Analistët: Lajçak me këshilltarë gjerman e francez, fazë e re në dialog

Fadil Sertolli / RTKlive

Ardhja në Kosovë e emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga dy këshilltarë të sapoemëruar, njëri nga Gjermania dhe tjetri nga Franca, nga analistët politik në Prishtinë, po shihet si rritje e presionit mbi Kosovën dhe Serbinë.

Krejt kjo, për t’i dhënë fund telasheve mes dy vendeve dhe për të arritur  marrëveshje përfundimtare. Madje, ata vlerësojnë se institucionet e vendit duhet ta shohin ardhjen e tyre si një moment të krijimit të një kohezioni kombëtar, në mnyër që të bëhet një përgatitje e detajuar për dialogun.

Analisti politik, Blerim Burjani, në deklarim për RTKlive, vlerëson se tashmë ka filluar trysnia të rritet ndaj palës kosovare dhe serbe, pasi siç vlerëson ai, ideja është që palët  të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, deri në fund të këtij viti. Sipas tij, sado që tingëllon e pamundshme, zërat po shtohen, pro zgjidhjes së plotë, si nga SHBA ashtu edhe BE.

“Escobar ka ndikuar shumë në këtë drejtim, herën e fundit, por besoj që deri në fund të vitit, do të propozohet një zgjidhje kalimtare Kosovë –Serbi, pra jo e plotë. Ideja është që me hapa më të shpejtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare”, thotë Burjani për RTKlive.

Ai po ashtu shpjegon  se do të diskutohen opsionet  e një dokumenti final, pasi siç shprehet, në këtë stad do të hartohen disa elemente  bazë si kalimtare, që të ketë një marrëveshje të dakorduar gjithëpërfshirëse deri në fund të këtij viti, ndonëse e pranon se është e vështirë të arrihet.

“Pra mendoj se si stad i parë kalimtar duhet të hartohen elementet e një marrëveshje përfundimtare, pastaj hap pas hapi të marrë formën përfundimtare”, thotë Burjani.

Me ardhjen në Kosovë të emisarit dhe këshilltarëve të tjerë, sipas tij, është përforcuar formati diplomatik për të bërë zgjidhje .

“Me këtë rast ka filluar apo po fillon një fazë serioze e bashkësisë ndërkombëtare, SHBA dhe BE,  madje edhe Sllovenia ka caktuar një emisar special dhe me këtë po bëhen bashkë për te gjetur një zgjidhje të përhershme”, thotë Burjani për RTKlive.

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Dorajet Imeri, thotë se ardhja e Lajçakut është rikonfirmim i intensifikimit të përpjekjeve të Bashkimit Evropian për të prodhuar një moment të ri që do të ishte i favorshëm për të mbajtur aktiv procesin e bisedimeve.

“Prania e tij në Kosovë bashkë me dy këshilltaret francezo-gjerman konfirmon ndër të tjera se Bashkimi Evropian, Franca dhe Gjermania në veçanti, Shtetet e Bashkuara, por edhe Britania e Madhe janë te interesuara për të pasur paqe dhe stabilitet në Evropë dhe në veçanti në Ballkan”, thotë Imeri për RTKlive.

“Ndërkaq, përfundimi i bisedimeve Kosovë-Serbi me një marrëveshje të pranueshme për palët, që i hap rrugë paqes përfundimtare të Ballkanit, është interes i të gjitha palëve”.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e vendit duhet të shohin si një moment ku krijimi i kohezionit kombëtar, përgatitja e detajuar për dialog përmes së cilit ruhet rendi politik dhe kushtetues i Kosovës, janë obligimet që e presin vendin.

Këtë të premte, më 9 shtator, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të jetë sërish për bisedime në Prishtinë e Beograd, por këtë radhë i shoqëruar nga dy këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. 


MË SHUME NGA Lajme