Guxon partia “Guxo”, bëhet partia e parë me dy kryetarë
Afet BELA/ RTKlive
(E plotësuar, ora 20:20)Faton Peci dhe Donika Gërvalla janë zgjedhur bashkëkryetarë të Partisë `Guxo`në Kuvendin e Parë zgjedhor dhe konstituiv të kësaj partie të mbajtur sot në Prishtinë.
373 delegatë kanë votuar për këtë vendim, kurse 23 kundër dhe 3 kanë abstenuar.
Kurti: Prioritet, mbetet vetingu në drejtësi
(E plotësuar, ora 17:55) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në Kuvendin e Parë zgjedhor dhe konstituiv të partisë ‘Guxo’, i cili po mbahet në Prishtinë. Sipas tij standardi në këtë parti i kontribuon demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës.
“Jam i lumtur që sot shoh gra dhe vajza, të ri dhe të reja, që do të ecim bashkë për idealet e përbashkëta për barazi gjinore, pa të cilat nuk kemi as barazi shoqërore”, tha ai. Kurti edhe në këtë kuvend foli edhe për procesin e shumë përfolur të Vetingut, raporton RTKlive.
“Prioritet në drejtësi mbetet vetingu, këtë do të bëjmë bashkë me Kuvendin e Kosovës”, tha Kurti.
Sipas tij qeveria të cilë ai e udhëheq ka pasur arritje, duke përmendur edhe aksionet policore për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ai ka thënë se vitin e kaluar, Kosova ka pasur rritje ekonomike me mbi 10 %, kurse këtë vit mbi 4 %.
Gërvalla: Themelimi i Partisë ‘Guxo’, kapitull i ri për Kosovën
Subjekti i ri politik “Guxo” po mban Kuvendin e Parë zgjedhor dhe konstituiv në Prishtinë. Në këtë kuvend po marrin pjesë deputetë të partisë ‘Guxo’ dhe 400 delegatë.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës Donika Gërvalla në këtë kuvend, tha se jo rastësisht kanë zgjedhur këtë ditë, 7 shtatorin, si datë e rëndësishme për Kosovën, që përkon me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e shpallur me 7 shtator në Kaçanik.
“Sot jeni mbledhur nga e gjithë Kosova, sot jemi mbledhur 400 delegatë nga e gjithë Kosova, duke guxuar. Pse guxo?, është të qendrosh, të kërkosh rezultat, të luftosh për drejtësi, të luftosh korrupsionin, e krimin e organizuar, t'i qëndrosh të dobëtit, të ndihmosh për drejtësi dhe shpresë”, tha ajo ndër të tjera në fjalën e rastit, raporton RTK.
Gërvalla ka folur edhe për zgjedhjet që janë mbajtur më 14 shkurt. Ajo ka përmendur edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për veprimet që i mori ajo, e që sipas saj janë të guximshme.
Gërvalla tha se në këtë parti kanë vend të gjitha ata që duanë të punojnë për Kosovën.
Themelimi i partisë ‘Guxo’, sipas Gërvallës është një kapitull i ri për Kosovën.
“Është kapitull i ri jo vetëm për ne, jo vetëm për partinë që ne po hapim, por edhe për partitë dhe Kosovën. Na prift e mbara të gjithë së bashku”, tha ajo në fund të fjalimit.























