Presidentja e Hungarisë: Do ta përkrahim edhe më tutje Kosovën |Foto- Video
BKT
Foto: Elmina Osmani/ RTK
Lajme

Presidentja e Hungarisë: Do ta përkrahim edhe më tutje Kosovën |Foto- Video

Kimete Kasumi/ RTKlive

(E plotësuar: ora 11:10) Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka nisur sot vizitën zyrtare njëditore në Kosovë. Ajo në orën 9.40 është pritur nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, në të cilin presidentes Novak i është bërë pritje me gardën ceremoniale.

Pas takimit, të dyja presidentet kanë mbajtur konferencë për medie, në të cilën kanë folur për temën e takimit në Presidencë.

Presidentja Osmani-Sadriu në konferencën për medie tha se me presidenten Novak kanë biseduar për bashkëpunimin ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë. Ajo tha se i shprehi mirënjohje presidentes Novak për mbështetjen e vazhdueshme që Hungaria ndër vite ia ka dhënë Kosovës e që shpreson se do t’ia japë edhe më shumë në vitet e ardhshme.

Presidentja Osmani-Sadriu, ashtu sikurse presidentja Novak, bën thirrje që gratë të merren me politikë.

“Fuqia e grave në politikë dhe roli aktiv i tyre për marrje të vendimeve në interes të qytetarëve është mjaft i rëndësishëm. Shpresojmë shumë se edhe në shumë shtete të tjera Evropës dhe të botës do të shtohen sa më shumë gra lidere jo vetëm në politikë, por në çdo profesion ku ato shkëlqejnë”, tha Osmani-Sadriu dhe shtoi se “Hungaria në të kaluarën i ka dhënë mbështetje Kosovës në shumë fusha, ka qëndruar përkrah nesh në momente të ndryshme të historisë sonë, edhe në vitet e fundit kur u përballëm me pandeminë”.

Ndërsa sa i përket çështjes së vizave, Osmani-Sadriu i kërkoi presidentes Novak mbështetje për liberalizmin e vizave.

 “Kanë kaluar më shumë se katër vjet që kur Kosova i plotësoi të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave. Dua t’ju falënderoj që Hungaria gjithnjë e ka përkrahur këtë proces për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe ju lus të bëheni kampion në këtë përkrahje në mënyrë që Kosova gjatë këtij viti ta marrë liberalizimin e vizave”, tha Osmani.

Edhe presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, i shprehi mirënjohje presidentes Osmani-Sadriu për pritjen dhe e garantoi se shteti i saj do ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen sipas mundësive që ka, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave.

“Procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës e kemi përkrahur që në ditën e parë dhe presidentja e Kosovës mund të llogarisë në mua, në shtetin tonë, se do ta përkrahim edhe më tutje dhe do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që liberalizimi i vizave i Kosovës të ndodhë sa më shpejt”, tha Novak.

Presidentja Novak nis vizitën në Kosovë |Foto- Video

(E plotësuar: ora 09:40) Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka nisur vizitën në Kosovë. Ajo ka ardhur në Kosovë për vizitë zyrtare njëditore.

Ajo në këto çaste, së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, janë në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, në të cilin presidentes Novak i është bërë pritja nga presidentja Osmani-Sadriu me gardën ceremoniale.

Pas takimit, të dyja presidentet do të mbajnë një konferencë të përbashkët për medie.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Presidentja e Hungarisë sot në vizitë zyrtare në Kosovë

Jeton Musliu/RTKlive

Me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot vjen  për vizitë zyrtare presidentja e Hungarisë, Katalin Novák.

Zyra e Presidencës njoftoi se presidentja hungareze, Katalin Novák, do të pritet me ceremoni shtetërore.

"Ceremonia e pritjes do të mbahet në sheshin 'Ibrahim Rugova', ku do të pritet me gardën ceremoniale në orën 09:20", thuhet në njoftim.

Pas takimit presidentja Osmani dhe presidentja Novák do të mbajnë konferencë për medie.

Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se për shkak të kësaj vizite, trafiku në kryeqytet për disa orë d të devijohet.

Policia bën apel vozitësve që të jenë të durueshëm në komunikacion.

 


MË SHUME NGA Lajme