Hapet ekspozita “Istanbul Photo Awards”
Kulturë

Hapet ekspozita “Istanbul Photo Awards”

ATSH

Ekspozita e parë e Istanbul Photo Awards 2022, konkursit ndërkombëtar të fotografisë të organizuar nga Anadolu Agency (AA) për të mbështetur fotogazetarinë, do të hapet sot për vizitorët në metropolin turk të Istanbul-it.

Fotot e konkursit të vlerësuara me çmime do të ekspozohen në Universitetin e Arteve të Bukura Mimar Sinan deri më 30 shtator.

Në ekspozitë pritet të marrin pjesë shumë emra nga bota e fotografisë dhe artit, përfshirë fotoreporterin grek Konstantinos Tsakalidis, fituesi i këtij viti i çmimit “Fotografia e Vitit”.

Ceremonia e hapjes do të bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz.

Ekspozita, e cila përbëhet nga punimet e 19 fotografëve, organizohet me kontributin e Universitetit të Arteve të Bukura Mimar Sinan.

Këtë vit, konkursi u mbështet nga Canon, Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe Turkish Airlines (THY), aviotransportuesi i vendit.

Fotoreporterët profesionistë hynë në konkurs me foto që demonstrojnë ngjarjet globale të vitit të kaluar, nga ngjarjet sociale në Mianmar deri te kriza e refugjatëve në SHBA, nga Rally Dakar dhe Lojërat Olimpike të Tokios e deri te rrëfimet njerëzore në mbarë botën.

Fotografia e fotografit të Bloomberg, Tsakalidis, me titull “Gruaja nga Evia”, fitoi çmimin “Fotografia e Vitit” në Istanbul Photo Awards 2022, edicioni i tetë i konkursit vjetor ndërkombëtar të fotografisë të mbajtur nga AA për të mbështetur fotoreporterët.

Një juri prestigjioze përzgjodhi fotografitë fituese të çmimeve për Istanbul Photo Awards 2022.

Fotografia e Tsakalidis-it u përzgjodh mes më shumë se 16.000 fotografive të paraqitura nga pjesë të ndryshme të botës.


MË SHUME NGA Kulturë