Krasniqi: Kryeministër ofroje kompromisin, mos mbaj inat
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Pas dështimit që gjatë ditës së sotme të ketë një marrëveshje mes Qeverisë dhe Sindikatave për dhënien fund të grevës, ka reaguar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai ka thënë se sot është dashur të ketë marrëveshje meqë sipas tij familjeve, prindërve e më së shumti fëmijëve u duhet zgjidhja e jo bllokada.
“Burrështetasit nga pushtetarët i ndanë mënyra se si e shohin karakterin e qeverisjes. Për të parët, pushteti është marrëdhënie e qeveritarëve me të qeverisurit. Për të dytët, është pronësi mbi të qeverisurit. Ti Kryeministër, dialogun me sindikatat e ke nisur mbrapshtë dhe je duke e ushqyer mbrapshtë, tamam si një pushtetar, larg çdo cilësie të një burrështetasi”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së ka kërkuar nga kryeministri që ta ofrojë kompromisin e jo siç ka shkruar ai të mbajë inat.
“Kryeministër, ofroje kompromisin e mos mbaj inat ndaj protagonistëve, sepse mësimdhënësit e kanë zgjedhur Rrahman Jasharin, por qytetarët të kanë zgjedhur ty. Sot, janë qytetarët dhe fëmijët tanë, ata që janë më të dëmtuarit nga varësia jote për t’u treguar i fortë përballë sindikalistëve. E kjo nuk i takon një kryeministri. Nuk është cilësia jote si person, por premtimet tua ato që të kanë sjellë në pushtet. Nuk ka nevojë të jesh vëlla me askënd, por duhet të jesh kryeministër i përgjegjshëm për të gjithë. Prandaj, gjej rrugë dhe zhblloko situatën”, ka shkruar tutje kryetari i PDK-së.
Ai ka thënë se nuk ka përgjegjësi më të madhe sot e as agjendë më të rëndësishme për kryeministrin sesa ta rimendojë e të veprojë me arsye të shëndoshë në mënyrë që sipas tij nxënësit qysh nesër të nisin rrugëtimin e vitit të ri shkollor.
























