Telekomi i Kosovës rikthen shërbimet pas sulmeve kibernetike
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
(E plotësuar, ora 20:12) Pas ballafaqimit me sulme kibernetike qysh nga ora 08:00 e mëngjesit, Telekomi i Kosovës ka njoftuar se ka arritur t’i rikthejë shërbimet.
Në njoftim thuhet se përkundër që sulmet kibernetike kanë vazhduar, kanë arritur t’i rikthejnë shërbimet e prekura të internetit në rrjetin e telefonisë mobile dhe fikse.

Sulme kibernetike ndaj Telekomit, po punohet për parandalimin e tij
Me sulme kibernetike sot gjatë ditës është ballafaquar edhe Telekomi i Kosovës për çka ka pasur vështirësi në ofrimin e shërbimeve.
Përmes një njoftimi zyrtar nga Telekomi është bërë e ditur që sulmi ka filluar qysh nga ora 08:00 e mëngjesit, derisa thuhet se ekipet i kanë identifikuar IP-të që po sulmojnë dhe po merren me parandalimin përfundimtar të sulmit.
Për këtë çështje Telekomi i Kosovës ka thënë se qytetarët do t’i mbajë të informuar.
“Telekomi i Kosovës sot është duke u ballafaquar me sulme kibernetike. Sulmi ka filluar në orën 08:00 të mëngjesit. Ekipet tona i kanë identifikuar IP-të që po sulmojnë dhe janë duke u marr intensivisht me parandalimin përfundimtar të sulmit”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.
























