Shumë vizitorë gjatë Manifestës| Video
Kulturë

Shumë vizitorë gjatë Manifestës| Video

Fatos Cervadiku/ RTK

"Manifesta 14" ka bërë që shumë objekte kulturore të kenë vizitorë të shumtë nga mbarë bota.

Në vendin tonë po vazhdon të jetë e hapur bienalja nomade evropiane e cila po cilësohet një ndër ngjarjet e rralla në kulturën e Kosovës, pasi ka sjellë në objektet e kulturës vizitorë nga mbarë bota. Vizitorët kanë pasur rastin të njihen nga afër me kulturën, traditën dhe historinë e shqiptarëve të Kosovës.

Vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota kanë qëndruar këtë verë në Prishtinë. Shumica prej tyre kanë ardhur për “Manifestën 14”, ndërsa dy muzetë, ai Kombëtar dhe Etnologjik, kanë qenë më të frekuentuarit.

Adrian Berisha, koordinator në “Manifesta 14”, foli për bashkëpunimin me këta dy muze.

"Ne kemi instalacione edhe në, apo bashkëpunim. Vlen me u cek veçanërisht muzeu Etnologjik, me instalacionet që i kemi në bashkëpunim me Marubin dhe në këto dy hapësira ka pasur vizitorë. Përmes vizitorëve të ‘Manifestës’ janë vizituar edhe hapësirat", tha Berisha.

Pieter Depoorter, një vizitor nga Belgjika, tregoi se si u ndje pasi vizitoi Muzeun Etnologjik.

"Jam Piteri nga Belgjika. Sapo vizitova Muzeun Etnologjik në Prishtinë, ku është një ekspozitë e‘Manifestës’. Më pëlqeu shumë kjo ndërtesë e kohës osmane që është rinovuar plotësisht. Brenda saj pashë fotografitë e Marubit të shekullit 19 që ishin të shkëlqyeshme. Në njërën anë ishin fotografitë e shekullit, në anën tjetër fotografitë e artit konterporan. Jam fascinuar me këtë vizitë", deklaroi ai.

Për numrin e vizitorëve në Muzeun Etnologjik foli etnologu Ilir Sopjani.

"Vetëm në muajin korrik prej ‘Manifestës’ kemi pasur mbi 1 000 vizitorë, që nuk ka ndodhur në korrikun e vitit të kaluar dhe në muajt e tjerë. Shpresojmë se deri në fund të vitit ta tejkalojmë numrin e 20 mijë vizitorëve që i kemi pasur në vitin 2019", shtoi Sopjani.

Edhe në Muzeun Kombëtar të Kosovës pati vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

"Deri tani po shkon shumë mirë. Ne ende duhet ta eksplorojmë katin përdhes të muzeut, kështu që po më pëlqen ky vend. Është shumë i bukur", tha David Dorwin, vizitor.

"Po e vlerësoj këtë ngjarje sepse është një mënyrë e shkëlqyer për të mësuar për Kosovën, njerëzit e saj dhe gjërat interesante që ndodhin këtu", tha Tatjana Krivaltsevits, vizitore.

Ciceronia e këtij muzeu, Mimoza Goqi-Dragusha, tregoi për numrin e vizitorëve nga janari e deri më sot.

"Prej janarit e deri më sot janë mbi 19 mijë vizitorë që e kanë vizituar muzeun, por nga data 19 korrik, kur ka filluar ‘Manifesta’ e deri më sot, janë mbi 12 mijë që e kanë vizituar muzeun", shtoi ajo.

Përveç muzeve, vizitorët kanë vizituar edhe pjesë të tjera të kryeqytetit dhe të Kosovës.


MË SHUME NGA Kulturë