Bogujevci në Greqi, ne si Kosovë ende nuk kemi liberalizim
BKT
Foto: Kuvendi i Kosovës
Lajme

Bogujevci në Greqi, ne si Kosovë ende nuk kemi liberalizim

Fadil Sertolli/ RTKlive

Kryesuesja e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), Saranda Bogujevci, mori pjesë në takimin e Komitetit për Migracion, Refugjatë dhe Persona të Zhvendosur, të mbajtur më 18 dhe 19 shtator 2022 në Athinë të Greqisë.

“Takimi u përcoll me diskutime të shumta që lidheshin kryesisht me temën e trajtimit të migrantëve, refugjatëve dhe personave të zhvendosur, integrimit të tyre në jetën sociale e publike të vendeve ku migrojnë, të nevojës për solidaritet më të madh në këtë drejtim, si dhe për kontributin e Këshillit të Evropës në zbatimin e Kompaktit Global për migrim të sigurt e të rregullt të refugjatëve”, thuhet në një komunikatë për media.

Duke folur lidhur me temën “Solidariteti i Evropës në kontekstin e migracionit dhe azilit”, me raportues, z. Lord Alexander Dundu, nga Mbretëria e Bashkuar, kryesuesja e Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, znj. Saranda Bogujevci, tha se është e vështirë të vlerësohet nëse vendimet që merren janë të duhura për njerëzit në rrethana dhe momente të caktuara, por theksoi nevojën e krijimit të sistemit nëpërmjet të cilit prioritet u jepet atyre që e kanë jetën në rrezik.

 Duke ndarë me të pranishmit aspekte të përvojës nga jeta e saj dhe nëpërmjet saj fatin e popullit të Kosovës gjatë periudhës agresionit serb, Bogujevci kujtoi emigrimin e saj në një shtet evropian, dhe kthimin e detyrueshëm në atdhe, siç tha ajo, për shkak të prioritetit që në atë kohë u jepej refugjatëve nga vende të tjera të përfshira në luftë. 

“Disa vite me vonë ndodhi lufta dhe fatkeqësisht unë u plagosa rëndë, ndërsa humba edhe anëtarë të familjes. Kur shohim nga kjo perspektivë, nuk e dimë se çfarë mund t’u ndodhë të kthyerve më pas. Pas luftës unë jam dërguar në Mbretërinë e Bashkuar për shërimin e plagëve të luftës, me status të refugjatit, por më vonë më është dhënë e drejta për të qëndruar, duke u pajisur edhe me shtetësi. Kur mora shtetësinë unë mund të zgjidhja ku mund të jetoja, jashtë rrezikut dhe në rrethana të jetës së sigurt, mundësi të cilën e kam edhe tani”, theksoi Bogujevci.

Pavarësisht mundësisë së qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, Bogujevci tha se është kthyer në Kosovë për të kontribuuar në krijimin e kushteve dhe mundësive më të mira, posaçërisht për gjeneratat e reja, që ata mos e lëshojnë vendin.

“Ne si Kosovë ende nuk kemi liberalizim të vizave dhe si rezultat i saj shumë të rinj tanë, edhe pse janë të ftuar, nuk mund të marrin pjesë në organizime të ndryshme ndërkombëtare, ngase kjo u pamundësohet për shkak të regjimit të vizave”, theksoi kryesuesja Bogujevci.

Pjesëmarrësve në takim me nga një fjalë iu drejtuan kryetari i Parlamentit të Greqisë, z. Constantine An. Tassoulas, kryesuesja e Delegacionit të Greqisë në APKE, znj. Theodora Bakonyannis, si dhe ministri për Migracion dhe Azil i Greqisë, z. Notis Mitarachi.

Përfaqësuesit grekë gjatë fjalimeve të tyre potencuan vështirësitë më të cilat bota është duke u përballur, si lufta në Ukrainë, situata me refugjatë, azilkërkues, ndryshimet klimatike dhe autokracia në disa shtete, duke vlerësuar po ashtu edhe rolin e shtetit të tyre në këto procese sfiduese.

Takimi vijoi me diskutime të pjesëmarrësve të tjerë. Kryesuesja e Delegacionit të Kosovës në APKE, znj. Saranda Bogujevci, përveç pjesëmarrjes në takimin e Komitetit, zhvilloi takim edhe me raportuesen për Kosovën, znj. Thedora Bakoyannis, si dhe anëtarë të delegacioneve të tjera në APKE, me të cilët zhvilloi një bisedë konstruktive dhe të frytshme. 

Gjatë qëndrimit në Athinë kryesuesja e delegacionit vizitoi edhe Zyrën e Misionit të Posaçëm Diplomatik të Republikës së Kosovës në Greqi, ku u prit nga i Ngarkuari me Punë në këtë Mision, z. Fitim Gllareva, me të cilin biseduan rreth aktiviteteve dhe punës që kjo përfaqësi bën në Greqi.


MË SHUME NGA Lajme