Kur të gjithë mërgojnë-“Të gjithë e thërrasin Rexhon”
Rtklive
Kulturë

Kur të gjithë mërgojnë-“Të gjithë e thërrasin Rexhon”

Kimete Kasumi/ RTKlive

Filmi i metrazhit të gjatë artistik “Everybody Calls Redjo” i cili vjen me skenar dhe regji nga Iber Dearit, e si bashkë -skenarist është Artin Selmani, tashmë ka përfunduar xhirimet. Këtë e kanë bërë të ditur vetë regjisori Deari për Rtklive.

Filmi “Everybody Calls Redjo” është film i metrazhit të gjatë  dhe  trajton njërën nga temat më aktuale të botës shqiptare, të ditëve të sotme- atë të ikjes së të rinjve në mërgim. Në fshatin e mbetur pa fuqi punëtore, gjithsecili do ta thërrasë Rexhon, punëtorin e fundit në fshatin Sllupkovë.

E me Rexhon si personazh kryesor, rrëfehen shumë histori të njerëzve të këtij fshati, të cilat do t’i paraqiten publikut herë si dramë e e herë si tragjedi, por në pjesë të caktuar, që përmbajnë edhe copëza komedie.

Deari shprehet të jetë shumë i kënaqur  me punën e bërë në këtë film, e  për të cilin thotë ai punoi me përkushtim të madh.

Ai tha se procesi ka ecur shumë  mirë e të vetmin problem që e kanë pasur, ishte  vetëm me motin që ndonjëherë ka ndodhur edhe të shtyhet xhirimi për ditën tjetër.

“Procesi i filmit ka ecur mirë, të vetmin problem e kemi pasur me ndryshimin e shpejtë të motit nga shiu në diell e nga dielli në shi, që shpesh kjo behet një ankth për xhirim”, thotë ai.

“Por sa i përket pjesës organizative dhe ekipit kreativ, kemi qenë shumë mirë, të lumtur dhe me shumë energji pozitive”.

Regjsori thekson se për rolet kryesore, kanë pasur aq shumë kimi mes vete, sa janë dukur si një familje e vërtetë.

“Me rolet kryesore jam tepër i kënaqur, mendoj se Afrimi (aktori Afrim Muçaj v.j)  Adriana (Adriana Matoshi v.j) dhe Ledioni (Ledion Mulaku v.j) kanë pasur një kimi shumë të mirë mes tyre”, thotë ai.

Sipas regjisorit, aktorët edhe duken si një familje e vërtetë.

“Po mendoj që po të mungonte njëri nga këta aktorë , do të kishte qenë e pamundur të krijohet familja Nushi, që janë në film, kështu që jam shumë i lumtur për këtë”, thotë ai.

Po ashtu ai nuk lë pa i përmendur edhe aktorët e tjerë, ku tha se edhe me pjesën tjetër të aktorëve është shumë i lumtur, sepse secili në rol është përshtatur shumë mirë.

“Jam falënderues dhe mirënjohës pafund”.

Ndër të tjera, Deari shtoi se premierën e filmit  do të donte që ta kishte së shpejti, por është e pamundur deri vitin tjetër, pasi procesi  është tepër i gjatë në fazën e post produksionit.

Rol kryesor në këtë film mban mbi supe aktori i njohur Afrim Muçaj, i cili u shpreh se ndjehet shumë i lumtur me gjithë procesin.

“Jam shumë i lumtur me gjithë procesin, e mund të them që gjithçka ka shkuar për mrekulli”, thotë Muça për RTKlive.

“Me një regjisor të përgatitur si Ibro është lehtësi shumë e madhe për mua si aktor të krijoj një rol, por patjetër lehtësi shumë e madhe për të krijuar Rexhon, kanë qenë të gjithë bashkëpunëtorët e në veçanti kasta fantastike e aktorëve”, tha ai.

“Jam me fat që kam pasur në krah aktoren e njohur Adriana Matoshi, puna me të është padyshim kënaqësi shumë e madhe”.

Aktori Muçaj tha se edhe kolegët e tjerë si Ledioni, Ademi, Bujari, Adriani, Daniela, Labi, Sara si dhe e gjithë pjesa e aktorëve, thjesht ishin fantastik dhe është shumë i lumtur që ka punuar bashkë.

Muçaj thotë se rezultati i dashurisë dhe energjisë që e ka përcjellë këtë proces, do të jenë ato që do t'i shijojë publiku.

“'Everybody Call's Redjo' energjia dhe dashuria që e ka përcjellë këtë projekt deri këtu është për t’u admiruar dhe si rezultat i kësaj padyshim presim që në fund t'i servojmë një film shumë të mirë publikut”, shtoi Muçaj.

Pjesë e këtij filmi është  edhe aktorja shumë e dashur për publikun Adriana Matshoshi, e cila sipas një postimi në rrejte sociale, është shprehur shumë e lumtur  për pjesëmarrjen e saj në këtë projekt.

Ajo ka falënderuar për punën e palodhshme regjisorin Deari dhe aktorin Muçaj, të cilin e kishe partner në këtë film.

Aktorët në këtë film  janë : Afrim Muçaj , Adriana Matoshi, Ledion Mulaku,  Adem Karaga,  Bereda Reshit,  Bujar Ahmeti,  Adrian Aziri,  Mirsad Abazi, Daniela Markaj,  Labinot Raci,  Sara Bajrami,  Muzafer Etemi, Blerim Dardhishta.

Regjia skenari Iber Deari bashkë skenarist Artin Selmani Producent Sasho Pavlovski Drejtor fotografie Dario Sekulovski.

 


MË SHUME NGA Kulturë