Haxhiu reagon pas pezullimit të zyrtarëve të SHKK-së
Foto: RTK
Lajme

Haxhiu reagon pas pezullimit të zyrtarëve të SHKK-së

E.Hoti/RTKlive

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar të mërkurën pas pezullimit nga puna të dy zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës(SHKK).

Haxhiu në një postim në Facebook ka thënë se rasti Dehari, është ndër rastet më të rënda në Kosovën e pasluftës.

Ajo ka kërkuar nga institucionet që të zbardhin secilën rrethanë të këtij rasti.

“Menjëherë pas konferencës për medie, raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë për rastin Dehari, e kemi dërguar tek institucionet dhe personat përgjegjës.Sot, Komisioni Disiplinor i SHKK, ka marrë vendim për pezullimin e dy zyrtarëve. Rasti Dehari, është ndër rastet më të rënda në Kosovën e pasluftës. Institucionet duhet të zbardhin secilën rrethanë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo ka thënë se Ministria e Drejtësisë do të adresojë secilën shkelje dhe do të jetë në shërbim të institucioneve të drejtësisë për zbardhjen e këtij rasti.

Ndryshe, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar sot se ka pezulluar nga puna, Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren.

Sipas njoftimit të SHKK-së, ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016.

“Komisisini Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i deryrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës. Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës  vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.


MË SHUME NGA Lajme