Në mungesë kuorumi mbyllen punimet, seanca plenare vazhdon nesër
Foto RTK
Lajme

Në mungesë kuorumi mbyllen punimet, seanca plenare vazhdon nesër

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

(E plotësuar ora 17:05) Pas shumë orë debati në mungesë kuorumi nuk ka arritur të hidhet në votim rezoluta e propozuar nga PDK-ja rreth grevave në vend.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka lexuar rezolutën, e cila mbeti që të hidhet në votim në seancën e nesërme të Kuvendit.

Në pikën e parë të kësaj rezolute i kërkohet Qeverisë që në afat prej 48 orësh nga miratimi i saj në Kuvend të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e Grevës.

Si pikë e dytë i kërkohet Qeverisë që brenda 5 ditësh nga miratimi rezolutës të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së në Grupin Punues për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij dhe të marr në konsideratë propozimet e tyre.

Në pikën e tretë të kësaj rezolute që e lexoi shefi i deputetëve të PDK-së i kërkohet Qeverisë të adresojë masat për kërkesat tjera të sindikatave.

Në sallë plenare  pas orës 17:00 kur u lexua rezoluta ishin vetëm 54 deputet, dhe numri i tyre nuk u rrit përkundër thirrjes përmes ziles në Kuvend.

Votimi i rezolutës mbeti për nesër sikurse edhe shumë pika të tjera të rendit të ditës të parapara për këtë seancë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca tha se seanca e së premtes do të nisë nga ora 10:00.

Kurti:Nuk kam thënë se do të ketë luftë, por mund të ketë luftë

A.Bela & N.Mekolli / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kurrë nuk ka qenë radikal, për nga karakteri, por për nga tema. “Arsyeja pse ka nuk nevojë të jem radikal, jo pse jam ba kryeministër, por sepse se nuk është më ‘Zajednica’ këtu për ta ratifikuar atë, këtu është dallimi, ajo që bosnjizon Kosovën, pra nuk ka ‘Zajednicë’ dhe nuk ka gazlotsjellës”, tha ai. Sipas tij ajo nuk është aktuale më sepse është qeveria që ai udhëheq, raporton RTKlive.

Ai bëri me dije se kurrë nuk ka thënë se do të ketë luftë, por mund të ketë luftë. “Është papërgjegjësi absolute nga ana ime si kryeministër, kur i ke  48 baza rreth Kosovës, 28 ushtarake, 20 të xhandarmërisë, me thanë se kurrë nuk do të ketë luftë”, theksoi ai.

Nagavci: Të ndalet greva, do ta shqyrtojmë vazhdimin e Pakos

Open photo

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se do të shqyrtohet vazhdimi edhe gjatë vitit tjetër i Pakos për Përballje me Inflacionin. Kjo është kjo një ofertë e re e Qeverisë për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit.

Nagavci, gjatë seancës së vendi i Kosovës, i ftoi mësimdhënësit që ta ndalin grevën dhe pastaj të bisedohet dhe adresohet çdo kërkesë që e kanë ata.

“Duhet ta përmendim edhe një gjë. E kemi thënë edhe publikisht që mbështetja prej 50 eurosh, gjegjësisht Pakoja nga Qeveria do të rishqyrtohet në fund të dhjetorit në mënyrë që të planifikohet me buxhetin e vitit të ardhshëm”, tha Nagavci.

Live|Kurti: Greva po përdoret si armë kundër kryeministrit

(E plotësuar, ora 13:50) Kuvendi i Kosovës, po vazhdon punimet e seancës së sotme, në të cilën po mbahet debati parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), grevë e cila ka bllokuar për gati tre javë sistemin arsimor në vend dhe disa institucione të tjera të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar për ecurinë e takimeve që i ka pasur ai që nga 1 shtatori me përfaqësues të BSPK-së, para se të fillonte greva. “Ne nga takimet që i kam pasur me BSPK-në, i kam ofruar atyre të prezantojmë pakon e përballjes me inflacion, por ata nuk kanë pranuar”, tha ai, raporton RTKlive.

Sipas tij pakoja e prezantuar për tu përballur me inflacion është 150 milionë euro, duke përfshirë edhe pakon me 200 milionë euro, e tejkalon shumën prej 300 milionë euro. Për mungesën e takimeve me SBASHK-un, Kurti tha se ai është takuar vetëm me kreun e BSPK-së. “Pra unë takoj kreun e BSPK-së, kurse ministrja e arsimit takon të SBASHK-ut”, theksoi Kurti.

Sipas tij sindikatat kanë refuzuar ofertat për të qenë pjesë e prezantimit të pakos. Kurti tha se kanë qenë të gatshëm të diskutojnë për ofertat e tjera.

“Ne insistuam edhe në Kuvendin e Kosovës, reforma që mbështetet nga Banka Botërore. Në atë takim nuk kanë mundur të dilnin sepse dilnin absurd. Thanë se do të diskutojnë më anëtarësinë. Unë nuk kam dashur fare të flas p[ë media. Po të thonin në takim do të dilnin absurd. Por çka ndodhi, dolin para medieve dhe thanë greva vazhdon. Nuk është e mundur të diskutonin me anëtarësinë. Ky nuk është dialog social, është social, por nuk është dialog”, theksoi ai.

Kurti ka kritikuar edhe opozitën. Sipas tij greva po përdoret si armë kundër kryeministrit. Ai ka folur edhe për memorandumin që kanë pasur disa parti opozitare, në kohën e PAN-it, me sindikatat. Ai tha se ka vizion për të ndarë publiken me privatën.

Kurti foli edhe për kërkesën e sindikatës të cilët po kërkojnë 100 euro, deri në miratimin e ligjit të pagave, e që sipar është gabim ."Paga duhet të lidhet me punën që bëjnë, kurse pakoja që qeveria ka prezantuar është për përballje me inflacionin", tha ai.

Live|Nagavci: Pakoja ekonomike, rishqyrtohet në muajin dhjetor

Open photo

(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës, po vazhdon punimet e seancës së sotme, në të cilën po mbahet debati parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), grevë e cila ka bllokuar për gati tre javë sistemin arsimor në vend dhe disa institucione të tjera të Kosovës.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, tha pakoja ekonomike, do të rishqyrtohet në fund të muajit dhjetor, në mënyrë që të ketë mbështetje edhe për vitin e ardhshëm.

Ministrja Nagavci, gjatë fjalës së saj në vazhdim të seancës së Kuvendit, tha se dihet se bashkëpunimi në mes Qeverisë e SBASHK-ut nuk ka munguar për asnjë moment, takimet kanë qenë të vazhdueshme.

“Buxheti në arsimi është rritur për 12 për qind se vitin e kaluar “, tha Nagavci dhe shtoi se janë zgjidhur edhe shumë probleme të tjera.

Sipas saj, Qeveria i ka plotësuar SBASHK-ut 90% të kërkesave.

“Ajo që duhet të përmendet këtu është se trajtimi i dinjitetshëm i mësimdhënësve është bërë me ligjin e pagave, madje më mirë së që SBASK-u e ka pranuar më parë nga Qeveria e mëparshme”, tha Nagavci dhe shtoi se këto veprime do të vazhdojnë tuje.

Live|Tahiri kërkon më shumë angazhim për kthimin e nxënësve në shkollë

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, tha se është keq që edhe sot pas katër javësh nuk ka përfundua greva.

“Janë 25 mijë mësimdhënës që po kërkojnë një parë që të mund të arrijnë të mbijetojnë. Kjo rrogë është e papranueshme sepse nuk mjafton për mbijetesë. Është një situatë shumë e rëndë, aq më keq, kur qeveria merri vendim por mosdhënien - vonesën e pagave për 3 a 4 ditë”, tha ai.

“Punë kryeministrit, është me e përmbushë punën e tij, ne kërkojmë që të mos vazhdoj kjo greve, ku 320 mijë të rrinë në shtëpi, 25 mijë mësimdhënës që po bëjnë greve për një rrogë më të dinjitetshme”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, është e papranueshme ajo që thotë kryeministri, se shpallja e grevës ka ndodhë në ditën kur ai ka udhëtuar në Bruksel.

Tahiri kërkon nga kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca më shumë angazhim për kthimin e nxënësve në shkollë, por edh se për kthimin në punë të punonjësve të administratës.

 

Live|Krasniqi: Të gjendet zgjidhje për dalje nga kriza

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka shprehur sot në seancën e Kuvendit konsideratë për deputeten e deritashme të Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Vasfije Krasniqi e cila një ditë më parë njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj për arsye shëndetësore.

Por, për deputeten e deritashme të Kuvendit të Kosovës, sot nuk ka folur as kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti por as kryeparlamentari Glauk Konjufca apo shefja e Grupit Parlamentar Mimoza Kusari-Lila.

Krasniqi tha se greva nuk ka pas vetëm në arsim, por edhe në sektorë të tjerë, dhe kjo mund ta rrezikojë krejt shtetin. Ai kërkoi zgjidhje për dalje nga kriza, sepse mësimdhënësit duan më shumë dinjitet.

“Kryeministri nuk është në sallë, ai tha se krejt e kanë punën me mua (kryeministrin) kjo është absurditet. Ai po mendon që krejt po merren me të, por jo të gjithë po merren me problemet e veta.

“Humbës janë fëmijët dhe prindërit por edhe mësimdhënësit, a po mendoni se Rrahman Jasharaj i ka krejt në grusht mësimdhënësit a - jo ata po luftojnë për dinjitet, na duhet të mendojmë për ta, për fëmijë, mësimdhënës e prindër”, thotë Krasniqi.

“Lëviz pak o njeri, se vëlla s’po ke qejf me të thënë, lëviz pak, bëji dy hapa, ofro diçka, jo vetëm si të thuash ti, sepse kjo është arrogancë, është diktat, ja si të them unë, ja hiç, nuk është normale kjo sjellje me njerëzit", tha Krasniqi.

Bajrami: Ligjin për Pagat mund të vonohet dhe të dërgohet në Kushtetuese

Open photo

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se kryeministri flet për ligjin e pagave por kur mund të hyjë ai Ligj në fuqi.

“Qeveria po shpërndanë qindra miliona euro për ndihma, por nuk po e zgjidh çështjen për grevën, për disa miliona. Paga duhet të lidhet me pagën e inflacionit, rritjen e çmimeve...”, tha ajo.

Sipas Bajramit, kryeministri tha se ligji për pagat nuk do të bie në Kushtetuese, por kësaj nuk mund ti besohet.

“Ligji për pagat mund të vonohet sepse ai paralajmëron uljen e pagave për gjymëtarët e disa kategori të tjera dhe për këtë ai do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo do ta shtynte miratimin e vendimit për Ligjin e Pagave”, tha aja.

Live|Kusari-Lila:Sindikalistët nuk e kanë lexuar projektligjin e pagave

(E plotësuar, ora 13:05) Kuvendi i Kosovës, po vazhdon punimet e seancës së sotme, në të cilën po mbahet debati parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), grevë e cila ka bllokuar për gati tre javë sistemin arsimor në vend dhe disa institucione të tjera të Kosovës.

Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se për mos fillimit të mësimit kanë dalë shumë probleme të cilat po ndikojnë tek fëmijët, por edhe tek familjet.

‘Greva po shkakton dëm duke i mbajtur të mbyllur shkollat. Sot kur ne po diskutojmë në kuvend, e kemi SBASHK që thotë nuk kanë pasur rastin të shohin projektligjin e pagave. Si mund të diskutojmë me ata që nuk e kanë parë projektligjin që është në diskutim publik”, theksoi ajo. Sipas saj nuk ka munguar qasja e kryeministrit dhe e qeverisë për zgjidhjen e ngërçit. “Përpjekjet e qeverisë janë të vazhdueshme, ne këtu nuk jemi palë por mund të japim ide”, theksoi ajo, raporton RTKlive.

E para e VV-së, në Kuvend, Kusari-Lila, ka kritikuar partitë opozitare se nuk kanë bashkëpunuar me pozitën, edhe për ratifikimin e një marrëveshjen ndërkombëtare e cila do të mundësonte të kemi edhe reformë të sistemin pensional dhe skemave sociale të Kosovës.

Live|Lekaj: Kryeministër zhbllokoni grevën, mos fyeni mësimdhënësit

( E plotësuar 12:54) Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, tha se tema e grevës ka bllokuar sistemin e vendit. Ai bëri thirrje për zhbllokimin e situatës dhe sipas tij atë mund ta bëjë vetëm Qeveria.

“Greva ka filluar më 25 gushtë e sot është 22 shtator dhe asgjë nuk ka lëvizë. Qeveria nuk ka bërë asgjë për të lëvizur në zhbllokimin e gjendjes. Sindikatat kanë bërë një punë të mrekullueshme dhe nuk duhet të fyhet”, tha ai.

Deputeti Lekaj i bëri thirrje kryeministrit e deputetëve që t’i ndalin fyerjet ndaj mësimdhënësve.

“Qeveria dhe gjithë ne duhet ta dimë se të gjithë po pësojmë, por barra bie mbi Qeverinë. Po pësojnë nxënësit, mësimdhënësit e prindërit, por edhe qytetarët në përgjithësi, Kryeministër mos harroni situatën e rendë inflacionin çmimet.”tha Lekaj.

"Është koha që Qeveria të bëjë zgjidhje, prandaj ju bëj thirrje qe ti plotësoni kërkesat e sindikatave dhe shteti të kthehet në normalitet. Mjaft i ofenduat mësimdhënësit, ofroni zgjidhje", tha Lekaj.

 

Hoxhaj: Të gjendet zgjidhje kalimtare për ndaljen e grevës në arsim

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se 22 ditë kemi humbje të mësimit. Sipas tij është shumë e dëmshme që kemi humbje prej 4 javëve të vitit shkollor dhe mbi të gjitha edhe fakti që jemi vend që kemi problem me kalendarin shkollor të mësimit. Ai ka kritikuar Kurtin për mos konsensus me sindikatat. “Arsimtarët janë të gjitha partive politike dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, unë ju ftoj të bisedoni me ta”, theksoi ai. Sipas tij duhet të gjendet një zgjidhje kalimtare

Seanca e Kuvendit fillon seancën me debatin për grevën

(E plotësuar, ora 12:25) Kuvendi i Kosovës, i ka filluar punimet e seancës së sotme, në të cilën si pikë e parë është debati parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), grevë e cila ka bllokuar për gati tre javë sistemin arsimor në vend dhe disa institucione të tjera të Kosovës.

I pari që ka filluar të flas për grevën ishte deputeti i VV-së, Jahja Kokaj tha se sindikatat kanë me rëndësi. “Unë i lus grevistët të ndalin grevën dhe të fillojnë mësimin. Duhet të ulemi e të bisedojmë, por së pari duhet t’i kthejmë nxënësit në bankat shkollore”, tha ai.

 

Kuvendi mban seancë, në rend dite debati për grevën

Sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të mbajë seancë  plenare e ku në rend ditë janë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 15 shtator 2022, për të vijuar me pikat e papërfunduara në seancën plenare të 4 gushtit.

Ndryshe kryesia në mbledhjen e fundit nuk kishte kuorumin e mjaftueshëm, megjithatë, kryetari Glauk Konjufca, në bazë të kompetencave të tij dhe në koordinim me përfaqësuesit e grupeve parlamentare vendosi për mbajtjen e seancës plenare, raporton RTKlive.

Seanca fillon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 15 shtator 2022.

Do të mbahet debat parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Po ashtu do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë dhe shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Pas këtyre pikave seanca do të vazhdojë me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 4 gusht 2022.

Në rend ditë është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Republikës së    Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë,
shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.


MË SHUME NGA Lajme