“Përjetësi” i Anagnostit, në festivalin e filmave të restauruar në Berlin
Rtklive
Kulturë

“Përjetësi” i Anagnostit, në festivalin e filmave të restauruar në Berlin

ATSH

“Sistemet dhe imazhet e tyre” është seksioni i festivalit Film Restored, organizuar nga Kinemateka gjermane (Deutsche Kinemathek), që nisi dje, në kinema Arsenal në Berlin.

Në datën 23 shtator, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, do të prezantojë për publikun europian një anë pak të njohur të filmit dokumentar shqiptar. Bëhet fjalë për dokumentarin e restauruar të regjisorit Dhimitër Anagnosti, “Përjetësi”, një vepër me stil krejt të veçantë e që ia vlen të studiohet për mënyrën e realizimit dhe kontekstin e kohës kur është krijuar. Dokumentari “Përjetësi” është prodhim I vitit 1973. Prezantimi I delegacionit shqiptar do të plotësohet me fjalën e  drejtoreshës së AQSHF, Marinela Ndria, si edhe video-kritikave nga Roza Anagnosti dhe Genc Përmeti.

Festivali i filmave të restauruar do të mbahet deri në datë 25 shtator. Që nga viti 2015, “Film Restored Festival” i është dedikuar trashëgimisë filmike në epokën dixhitale. Restaurimet dixhitale, sillen në Berlin për kremtimin e premierave të tyre. Kineastët dhe restauruesit raportojnë mbi aspektet e ndryshme të procesit të dixhitalizimit, ndërkohë që ekspertët zhvillojnë diskutime mbi çështje të politikave dhe estetikës.

Edicioni i shtatë i këtij festivali është titulluar “For real?!” (Vërtet?!) dhe hulumton mbi shtresat e ndryshme që formësojnë një dokumentar. Kësaj here, festivali vjen edhe si nderim, në 80-vjetorin e regjisorit të famshëm Werner Herzog.


MË SHUME NGA Kulturë