Kurti në takim me BERZH-in: Pavarësisht sfidave, ekonomia e qëndrueshme
Rtklive
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti në takim me BERZH-in: Pavarësisht sfidave, ekonomia e qëndrueshme

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), të kryesuar nga Mark Bowman, zv. President i BERZh për Politika dhe Partneritet, Oleg Levitin, Zëvendës Drejtor për Qeverisje dhe Çështje Politike, si dhe Neil Taylor, Udhëheqës Rezident i Zyrës së BERZh në Kosovë.

Kreu qeveritar ka thënë se BERZh-i mbetet një ndër partnerët kryesorë zhvillimorë të Republikës së Kosovës, derisa i ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Qeveria tregon se u  bisedua  për projektet aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen.

 Siç bëhet e ditur në këtë takim u tha se pavarësisht sfidave, ekonomia është e qëndrueshme dhe po zgjerohet vazhdimisht, ndikuar edhe nga Pako e Ringjalljes Ekonomike. U veçua mbështetja për prodhuesit vendorë, rritja e subvencioneve në bujqësi dhe subvencionimi i çmimeve të energjisë elektrike. U veçua edhe themelimi i Gjykatës Komerciale.

Duke theksuar se sundimi i ligjit dhe transparenca janë thelbësore për një klimë të mirë investimi, u tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për këtë gjatë gjithë mandatit.

Gjithashtu sipas ekzekutivit aty u bisedua edhe për ndikimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, në rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë. U theksua se Qeveria po mbështet qytetarët dhe bizneset në përballje me inflacionin me një sërë masash .

“Duke ritheksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e  përkushtuar për tranzicion drejt energjisë së gjelbër, kryeministri Kurti falënderoi BERZh-in, që krahas partnerëve si  MCC, KfW dhe EIB, na mbështesin në këtë drejtim”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qeverisë.


MË SHUME NGA Lajme