Përfundon takimi, s’ka marrëveshje për ndërprerjen e grevës
Foto/Grafika: Valjeta Kosumi/ RTKlive
Lajme

Përfundon takimi, s’ka marrëveshje për ndërprerjen e grevës

Venera Xhoxhaj/RTK

(E plotësuar, ora 13:20 ) Pas diskutimeve të sindikalistëve dhe deputetëve, ministrat Murati e Nagavci kanë kërkuar edhe njëherë të ndërpritet greva.

Por situata është tensionuar kur ministrat e ripërsëritën se 99 për qind e kërkesave, janë plotësuar. 

Përfaqësues të SBASHK-ut thanë se ato nuk janë kërkesa në kuadër të procesit të grevës. 

"Ju po e pranoni që janë plotësa 99 % të kërkesave dhe nëse ju thoni se nuk i duam 50 euro nuk do ti ekzekutojmë...nëse thoni se nuk janë tepricë 2000 mësimdhënës i ndërpresim edhe ato kontrata", ka thënë Nagavci. 

Menjëherë pas kësaj mbledhjen e kanë lëshuar deputetët e PDK-së, anëtarë të Komisionit për Arsim, Eliza Hoxha e Ardian Kastrati. Ndërsa zgjidhjen kanë kërkuar me doemos deputetja Vlora Dumoshi si dhe kryesuesi i komisionit, Ardian Gola.

Ndërkohë, Imer Imeri nga SBASHK-u deklwroi se nëse qeveria nuk po reflekton edhe me masën më të ashpër siç është greva, atëherë nuk mund të pritet që të reflektojë nëse ajo ndërpritet. Kërkesën për ndërprerjen e grevës, Këshilli Grevist deklaroi se do ta diskutojnë.

Të gjithë dakordohen për zgjidhje, por s’pajtohen për mënyrën

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se nuk mund të arrihet marrëveshje,  kur kërkesat e Këshillit Grevist, ndërkohë vazhdimisht ndryshojnë.

E sindikalisti Imer Imeri deklaroi se ministri nuk ka gatishmëri për t’u arritur  marrëveshja, pasi po i keqinterpreton kërkesat.

"Lexoi mirë ministër kërkesat...se nuk po i interpreton drejtë se nuk po do të arrish  marrëveshje", tha Imeri.

Nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Albena Reshitaj, pyeti ministrat Murati, Nagavci si dhe anëtarët e Këshillit Grevist.

Anëtari i komisionit, Jahja Kokaj, tha se kjo grevë është tërmet. “Unë kam ardhur të zgjidhet ky problem e fëmijët të kthehen menjëherë në klasë”, tha Kokaj, duke shtuar se lista e kërkesave vetëm po vazhdon.

“Miratimi i ligjit merr muaj, por tash e duhet të fëmijët me muaj të presin?”, pyeti deputeti Kokaj.

“Tregoni se cila është kërkesa juaj e saktë që fëmijët të kthehen sot pasdite në klasë?”, tha anëtari i Komisionit për Arsim.

“Ju lutem shumë, cila është ajo kërkesë?”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se buxheti dhe kapaciteti është ky, sepse janë disa kategori që është dashur të mbështet.

 "Dhe nëse ka kërkesë të një kategorie për më shumim, duhet me marrë nga një  kategori tjetër", tha ai.

Edhe anëtarja tjetër e komisionit, Vlora Dumoshi, kërkoi që të gjendet zgjidhje e të dilet nga kjo situatë e që sot të arrihet një marrëveshje.

“Nuk jemi në hasmëri me qytetarët, në jemi një”, tha Dumoshi. “Ministër, bisedo me kryeministrin e të gjithë, me përulësinë më të madhe po të them”

E anëtarja tjetër, deputetja Eliza Hoxha, tha se takime të tilla i kupton si platformë për përafrim qëndrimesh.

“Nëse dëshirojmë zgjidhje, gjithmonë ka. Madje në këtë mandat qeveritar jeni vlerësuar se sa shumë buxhet keni e qeveria është lavdëruar se sa shumë ka kursyer”, tha Hoxha.

Deputetja Hoxha tha se kërkesat mund të realizohen vetëm me pak zemërgjerësi.

“As për shtet as për grevistët nuk është mirë të vazhdojë greva. Edhe këta kanë arsye por edhe Qeveria është bllokuar”.

Tensionohet diskutimi mes Këshillit Grevist e ministrit Murati

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, e nisi diskutimin e tij duke pyetur se Imer Imeri nga SBASHK-u, është raportuar si i afërt me parti të caktuara politike.

Në këtë rast ka ndërhyrë nënkryetarja e Komisionit për Arsim, Albena Reshitaj, e ndërpreu, duke i kërkuar ministrit që të njoftojë për implikimet buxhetore në këtë rast sepse –“këto pyetjet tjera janë diçka tjetër”.

“Edhe ne kemi pyetje për ju edhe për të gjithë këta protagonistë të kësaj situate se përse nuk mund të arrihet zgjidhje”, tha Reshitaj.

Edhe deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, kërkoi nga ministri Hekuran Murati që të përqendrohet në financa.

 "Fol për financa mos na lodh ke ardhë si fëmijë i çerdhes këtu. Hajde fol se nuk je për dekor",  tha Kastrati.

E ministri Hekuran Murati tha se-“ përse duhet të ndihen në siklet përfaqësuesit e opozitës për pyetjet që i shtroj unë”.

Ministri Murati deklaroi se këto nuk kanë të bëjnë me kërkesa racionale.

“Konteksti është ky që në Këshillin Grevist kanë afërsi me parti politike, anëtarë që kanë probleme me ligjin e  kjo e  ndryshon kontekstin e situatës”, tha ministri Murati.

Ai u shpreh se në vazhdimësi ka pasur kërkesa nga ana e SBASHK-ut drejtuar Ministrisë Arsimit.

“Mësimdhënësit që duhej të mbeteshin pa punë si ulje e numrit të nxënësve, ata nuk do të largohen. Ata që janë të sëmurë, u është ndarë buxhet. Asistent për nxënësit me nevoja të veçanta etj”, tha ministri Murati.

“Tash na u tha nga SBASHK-u se ato nuk kanë qenë kërkesa të tyre. E tash nëse nuk janë ato, por vetëm 100 euro, atëherë ne shohim i marrim ato para, dhe i kthejmë tek këto 100 euro”.

 

Grevistët dhe Qeveria duan zgjidhje, por nuk pajtohen për 100 eurot

Përfaqësues të SBASHK-ut kërkojnë zgjidhje për të dalë nga greva, duke dialoguar dhe sipas kërkesave që kanë.  Imer Imeri nga SBASHK-u kërkoi që në këtë takim të gjithë të koncentrohen e të dilet nga kjo situatë në të cilën të gjithë  ndodhen.

“Sindikatat kanë vullnet të dalim nga kjo situatë. Nëse do të komunikonim shpejt e drejtë, do të dilnim nga kjo situatë”, tha Imeri.

“Nga kjo situatë nuk do të dalim pa bisedime. Shpresoj se ministrat e kanë vullnetin”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u shpreh se ka pasur dhjetëra takime me SBASHK-un dhe të ato ishin të vazhdueshme.

“I di sfidat dhe problemet e arsimit. Kemi diskutuar me SBASHK-un për mësimdhënësit që kanë mbetur tepricë për shkak të normave”, rikujtoi ajo.

“Për vitin 2023 janë ruajtur mbi 2.200 vende të punë për mësimdhënës, që do të mbesnin pa punë për shkak të uljes së numrit të nxënësve”.

Ajo tha se janë diskutuar edhe problemet e mësimdhënësve që kanë probleme të rënda shëndetësore.

“Unë e SBASHK-u i jemi gëzuar ndarjes së 1.7 milion euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore”.

Nagavci deklaroi se propozimet e SBASHK-ut për koeficientë të pagave të mësimdhënësve, janë marrë parasysh nga Grupi Punues për draftimin e Projektligjit për Paga.

“Kur është finalizuar drafti, ai është ndarë edhe me SBASHK-un, para se ai të dilte në dëgjim publik”, tha Nagavci.

Nagavci konfirmoi se pika e vetme që me SBASHK-un nuk ka arritur mirëkuptim është kërkesa prej 100 euro për mësimdhënësit.

“Kemi pasur takime dhe kemi kërkuar mirëkuptim që të mos vijnë kërkesë të tillë që pamundëson zbatimin, por të shohim dialogun sepse qëllimi është përmirësimi i pozitës së mësimdhënësve dhe rezultatet në arsim”.

Ministrja Nagavci deklaroi se kërkesa e vetme dhe lutja e saj  është të mos u mohohet e drejta e fëmijëve për arsim.

“U jam lutur shumë të hapen shkollat e të vazhdojmë diskutimin sepse jemi të interesuar të përmirësojnë gjithçka në fushën e  arsimit”.

Nis mbledhja e Komisionit për Arsim, temë greva në Kosovë

Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës e Kulturës, tashmë kanë mbërritur në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Ata tashmë janë vendosur në salën ku do të mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim.

Në këtë takim do të marrin pjesë Imer Imeri nga Këshilli Grevist, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Jasharaj, Murati dhe Nagavci sot në Komisionin për Arsim

Afet Bela/RTKlive 

Po bëhen gati një muaj që ka filluar greva në arsim dhe nuk po dihet se kur ajo do të përfundojë.

Megjithëse ka pasur disa takime, dy palët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të gjetur një zgjidhje, raporton RTKlive.

Për këtë çështje sot Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport ka vendosur të ketë diskutim lidhur me grevën e përgjithshme në arsim. 

Për këtë ka ftuar, Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, përfaqësuesit sindikalë dhe ata të   Këshillit grevist, Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe    Inovacionit dhe Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.
 
Mbledhja fillon në ora 11:00.


MË SHUME NGA Lajme