Nuk ka kuorum për ndryshim të projektligjit për skemat pensionale|Video
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Nuk ka kuorum për ndryshim të projektligjit për skemat pensionale|Video

A. Bela / RTKlive & N.Mekolli / RTKlive

(E plotësuar, ora 12:59) Në Kuvendin e Kosovës, ka dështuar votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë ishin vetëm 60 deputetë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës, duke thënë se seanca vazhdon javën tjetër.

Bajrami: Ta heqim këtë diskriminim në skemat pensionale

Open photo

(E plotësuar 12:54) Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, u pajtua me diskutimet e mëparshëm dhe shtoi se ligji i tanishëm për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti është i padrejtë dhe diskriminues.

“Fondi kontributdhënës i pensioneve është grabitë nga Serbia dhe pensionet të cilat ndahen tani jepen nga taksat e tanishëm dhe për këtë jemi përgjegjës të gjithë ne këtu, edhe z. Kusari Lila si edhe kryeparlamentarit Konjufca”, tha Bajrami.

Por ajo tha se tani duhet të kërkohet një zgjidhje dhe për këtë kërkohet angazhim i pozitës e opozitës.

“Të bëhemi bashkë dhe të heqim këtë diskriminonim”, tha deputetja Bajrami.

Live|Tahiri: Buxheti i mjaftueshëm për ndryshimet ligjore për pensione

(E plotësuar, ora 12:45) Në Kuvendin e Kosovës, po vazhdon shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha me buxhetin që tani Kosova ka, ka mundësi të përballojë edhe çështjen e pensionistëve që kanë probleme me shtazin prej 15 viteve që kërkohet për të përfituar pensionin kontribut dhënës.

 “Është mirë që sot të miratojmë këtë nismë, e në leximin e dytë duhet të shikojmë ta plotësojmë projektligjin. Është mirë që pozita të mundësojë miratimin e kësaj nisme, dhe të merren parasysh kërkesat e të gjithëve”, theksoi ai.

Live|Kusari-Lila: Kosova ka nevojë për reformë të skemave pensionale

(E plotësuar, ora 12:10) Në Kuvendin e Kosovës, po vazhdon shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se është mirë që ka debat për këtë çështje duke vlerësuar se po u bëhet e padrejtë pensionistëve në Kosovës.

“Ka qenë një nen diskriminues, nga viti 2004 deri në vitin 2014. Sot Kosova i ka 19 skema sociale, prej të cilave është shtuar në buxhet prej vitit 2019, 2020, 2021 dhe 2022. Asnjëherë nuk është bërë rishikimi i skemave sociale”, tha ajo. Kusari ka kërkuar se ligji ka gabime dhe që ka reflektim serioz buxhetor.

“182 mijë persona, që kanë stazh para vitit 1999. Në përqindje e popullatës 10 % e popullatës”, theksoi ajo. E para e VV-së, në Kuvendin e Kosovës, kritikoi opozitën për mungesë të qasjes dhe mos votimin te marrëveshje ndërkombëtare për të përkrahur reformat e skemave sociale dhe pensinonale në vend.

Live|Dreshaj: Pensionet kontributdhënëse do t`i gëzojnë të gjithë

(E plotësuar, ora 11:49) Kuvendi po vazhdon debatin për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Deputeti i AAK, Shemsedin Dreshaj, në seancën e sotme ka paraqitur para deputetëve arsyetimin e nismës së AAK-së për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

"Jemi sot këtu për ta korrigjuar një padrejtësi, për të debatuar në lidhje për një nismë legjislative që Aleanca ka kohë që ka inicuar. Bëhet fjalë për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, më saktësisht, largimin e nenit diskriminues i cili parasheh që çdo pensionist të ketë përvojë pune të paktën 15 vite, në mënyrë që ta gëzojë pensionin kontributdhënës", tha Dreshaj.

Tutje, Dreshaj theksoi se me propozimin që AAK ka inicuar, parashihet që pensionet kontributdhënëse t'i gëzojnë gjithë pensionistët, pavarësisht se sa vite kanë punuar.

"Siç e dini, kemi raste kur shumë pensionistë vetëm për një ditë nuk e arrijnë kushtin prej 15 viteve përvojë pune. Kërkesa e jonë është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët që ishin larguar dhunshëm gjatë pushtetit të atëhershëm", shtoi Dreshaj.

"Ju ftoj pozitë e opozitë që bashkërisht ta ndryshojmë këtë ligj diskriminues", përfundoi Dreshaj.

Live|Nuk kalon as Projektligji për agjencitë ekzekutive

(E plotësuar, ora 11:23) Kuvendi po bën shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, të cilën e ka prezantuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, të cilën e ka prezantuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk kaloi në seancën e sotme të Kuvendit.

Në votim morën pjesë vetëm 49 deputetë, kështu që kjo pikë mbetet për ndonjë nga seancat e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, tha kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit ish- kryeministër i Kosovës, Avdullah Hoti, në fjalën e tij në këtë seancë, kërkoi që të kthehet mbrapsht Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Tutje, seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Live|Sveçla: Reformimi i administratës publike, prioritet shtetëror

Sipas tij transferimi i zyrtarëve publik nga agjencionet bëhet duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.  "Ju lus deputetë që reformimin e administratës publike ta konsideroni si prioritet shtetëror", tha ai.

Pozita përkrahu këtë projektligj, ndërsa partitë opozitare, nuk e kanë përkrahur këtë formë të racionalizimit. LDK, PDK, e AAK, kanë vlerësuar se kjo formë nuk është ligjore, e që sipas tyre është metoda e ‘omnibusit’.

Nuk kalon rezoluta e PDK-së, për grevat në vend

(E plotësuar, ora 10:43) Rezoluta e propozuar nga PDK-ja rreth grevave në vend, nuk ka marrë votat e deputetëve. Nga 67 deputetë të pranishëm, për ka qenë 22 deputetë, kundër  39 dhe abstenim 6 vota.

 

Vazhdon seanca e Kuvendit, në rend dite rezoluta rreth grevës në vend

Kuvendi i Kosovës sot do t`i vazhdojë punimet e seancës në të cilën do të jetë në rend dite edhe rezoluta e propozuar nga PDK-ja rreth grevave në vend.

Kjo rezolutë ka disa pika. Në pikën e parë të kësaj rezolute i kërkohet Qeverisë që në afat prej 48 orësh nga miratimi i saj në Kuvend të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së apo personat e autorizuar të BSPK-së deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e Grevës.

Si pikë e dytë i kërkohet Qeverisë që brenda 5 ditësh nga miratimi rezolutës të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar të BSPK-së në Grupin Punues për hartimin e Projektligjit të Pagave, para miratimit të tij dhe të marr në konsideratë propozimet e tyre.

Në pikën e tretë të kësaj rezolute që e lexoi shefi i deputetëve të PDK-së i kërkohet Qeverisë të adresojë masat për kërkesat tjera të sindikatave.

Pas votimit të rezolutës seanca fillon me pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 15 shtator 2022, raporton RTKlive.

Do të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë dhe shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Pas këtyre pikave seanca do të vazhdojë me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare më 4 gusht 2022.

Në rend ditë është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Republikës së    Kosovës, votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë,
shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.


MË SHUME NGA Lajme