Mjekiqi nga LDK-ja: Shkarkimet dhe emërimet në MPJD, të jashtëligjshme
Rtklive
Lajme

Mjekiqi nga LDK-ja: Shkarkimet dhe emërimet në MPJD, të jashtëligjshme

E.Hoti/RTKlive

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për pasivitet në politikën e jashtme dhe për zhvillimet e fundit rreth emërimeve dhe shkarkimeve në MPJD.

Mjekiqi sot në një konferencë për media, tha se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka zgjedhur të veprojë krye në vete dhe në mënyrë të jashtëligjshme në shkarkimin dhe emërimin e pjesëtarëve të shërbimit të jashtëm.

“Ne shprehim pakënaqësitë tona në lidhje me shkarkimet dhe emërimet e paligjshme në shërbimin e jashtëm nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe disa zhvillime tjera në kuadër të kompetencave të kësaj ministrie që janë rezultat i një politike shumë pasive të politikës së jashtme karshi fushatës mjaft aktive të Serbisë për çnjohje të shtetësisë dhe mos anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, theksoi ajo.

Ajo thotë se një rast i tillë ka ndodhur te konkursi për 32 zyrtarët në misione diplomatike.Sipas Mjekiqit,  MPJD ka bërë shkelje ligjore për mënyrën se si e ka shpallur këtë konkurs. 

“I  tillë ishte edhe rasti me shpalljen e konkursit për 32 zyrtarë në misione diplomatike, të cilin konkurs siç jeni në dijeni, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës  para tre ditëve e ka shpallur të jashtëligjshëm dhe ka kërkuar nga MPJD që të njëjtin ta anuloj. Në mënyrën se si e ka shpallur këtë konkurs, MPJD ka bërë shkelje të ligjit për zyrtarët publikë që natyrisht përcakton të drejtat dhe kompetencat në raport me nëpunësit profesional të shërbimit të jashtëm që konsiderohen si nëpunës me status të veçantë", tha ajo.

"Më saktësisht, ministria ka bërë shkelje të nenit 38 të Ligjit për Zyrtarët Publikë që përcakton rregullimin brenda kategorive të njëjta dhe gjithashtu edhe nenit 17 duke mos e publikuar këtë konkurs në sistemin informativ të menaxhimit të burimeve njerëzore”.

Sipas të dytës së LDK-së, shkelja e disa rregullave ligjore dhe anashkalimi i të tjerave fatkeqësisht po bëhet normë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Mjekiqi tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është në favor të reformave e jo regresit në shërbimin e jashtëm."Konsiderojmë se kjo reformë duhet të bëhet konform ligjeve, si dhe duke ndjekur një strategji të mirëfilltë pasi të jetë bërë një analizë e thellë e gjendjes në shërbimin e jashtëm",shtoi ajo.

Sipas saj sot kur institucionet e Kosovës do të duhej punuar pa ndalur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj, regresi në politikën e jashtme i bën favor Serbisë në fushatën e saj të riaktivizuar të propagandës për çnjohje dhe mos antarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare."Pra, veprimet e paligjshme në shërbimin e jashtëm pengojnë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës",nënvizoi ajo.

Derisa Serbia lobon aktivisht në vendet afrikane për çnjohje dhe mos-anëtarësim, Mjekiqi tha se ambasada jonë e vetme në Kontinentin afrikan (Senegal)  ka mbetur pa ambasador."Sot, Ministria e Punëve të Jashtme do të duhej të ishte më aktive se kurrë”, ka thënë ajo.


MË SHUME NGA Lajme