Opozita nuk merr pjesë në dëgjimin publik për Byronë Shtetërore
Rtklive
Foto: Arlinda Sejda/RTK
Lajme

Opozita nuk merr pjesë në dëgjimin publik për Byronë Shtetërore

Arlinda Sejda/RTK

Ka përfunduar dëgjimi publik për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Përveç anëtarëve të Komisionit për Legjislacion nga partia në pushtet, aty ishte edhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, përfaqësues të institucioneve të ndryshme e të Shoqërisë Civile.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se opozita do të duhej të ishte e pranishme në këtë dëgjim publik, meqë kanë pasur kritika për projektligjin.

“Opozita nuk merr pjesë në këtë dëgjim publik kur kanë pasur kritika për një projektligj të tillë. Është dashur të marrin pjesë në dëgjime publike kur kanë pasur kritika. Kryetari para votimit të parë e ka dërguar në Komisionin e Venecias. Ideja është ta bëjmë një projektligj i cili është i zbatueshëm dhe jo të keqpërdoret. Kemi konsideruar ta bëjmë punën bashke me Komisionin për Legjislacion. Ministria e Drejtësisë për zgjedhjen e drejtorit është bazuar nga praktikat ligjore dhe të zgjidhet nga Kuvendi. Nuk jam në dije për propozime nga Shoqëria Civile, por do t’i ndihmonin Grupit Punues ta bëjnë zgjidhjen më të mirë. Me stafin profesional do të jemi pranë Grupeve Punese për të dhënë maksimumin”, tha ajo.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi ka folur për amendamentet që kanë hartuar si Grup Parlamentar të Lëvizjes vetëvendosje. Ai tha se ato nuk synojnë të konsiderohen si fjala e fundit, por të shërbejnë gjatë trajtimit të Projektligjit.

“Ju ftoj që deri të enjten e javës së ardhshme kushdo që ka propozime konkrete t’i dërgoni me shkrim që të jenë tutje material pune për Grupin Punues”, tha ai.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj tha se ky projektligj do t’i ndihmonte edhe ata si Agjenci.

“Ne jemi gjithmonë të hapur për të bashkëpunuar. Pjesëtarët nga Agjencia do të jenë në secilin takim e po ashtu atë që mund ta them është që kurdo që do të themelohet një institucion i tillë ne do të  mundohemi të përkrahim sepse besojmë që si Agjenci kemi materiale të mjaftueshme”.

Kritika pati Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Ai tha se pas opinionit të Komisionit të Venecias më nuk ka çështje të rëndësishme në këtë projektligj, sipas tij që nuk do të jetë e diskutueshme.

“Nëse flasim për përzgjedhjen e drejtorit është se do të jetë një trup me përbërje të shumicës që do ta zgjedhe e do ta mbajë nën kontroll drejtorin. Ideja është se në këtë rast nuk e dimë kush do të jetë anëtar që e bënë të pamundshme të dimë nëse garantohet pavarësia e këtij institucioni”.

Kjo ka nxitur reagimin e ministres Haxhiu.

“A duhet të shtyhet përpara një projektligj ose jo mendoj se këtë e përcakton Qeveria”, tha ajo.

Tutje Haxhiu tha se është koha e fundit kur zyrtar që kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme duhet të japin llogari.

“Unë mendoj që duhet të përfundojë kjo mendësia që krijon pasuri  e nuk i jep llogari askujt”, tha Haxhiu gjatë fjalës në dëgjimin publik.

Tutje si replikë Shala i IKD-së tha se më nuk është diskutim e drejta të themelohet ose jo një mekanizëm i tillë, meqë sipas tij ehte çështje e tejkaluar tashmë, kur ka veçse një projektligj.

“Ky ligj do të bëhet, por të jetë Ligj që garanton të drejtat e njeriut dhe të jetë stabil për një kohë të gjatë” tha ai.

Ndërkaq Burim Tahiri, nga Institucioni i Avokatit të Popullit tha se është analizuar pjesa e komenteve dhe konsiderojnë që duhet pasur kujdes te qartësia e Ligjit dhe efikasitetit, përzgjedhja e drejtorit dhe Gjykata.

Ndërkaq përfaqësuesi i KDI-së tha se do t’i përcjellin komentet e tyre dhe do të ofrojnë një analizë. Sipas KDI-së do të ishte mire që të ketë konsensus gjithë partiak për themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

 


MË SHUME NGA Lajme