“Në simbiozë me eposin”, ekspozita e Azem Kuçanës në MHK
Kulturë

“Në simbiozë me eposin”, ekspozita e Azem Kuçanës në MHK

ATSH

Në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u çel ekspozita “Në simbiozë me eposin” e piktorit Azem Kuçana.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, theksoi se kjo ekspozitë i kushtohet trashëgimisë sonë kulturore dhe europiane, posaçërisht eposit tonë që i ka rrënjët thellë në alpe, në bjeshkë e në shpirtin e banorëve të atjeshëm. Po ashtu, ai vuri në dukje se piktori Kuçana e ka identifikuar veten prej kohësh me krijimtarinë e tij të spikatur.

Tematika e veprave të tij e merr frymëzimin nga tradita dhe i ka kthyer në art vlerat e trashëgimisë kulturore. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, kujtoi se në vitet ’70 të shekullit të kaluar, shkrimtari Ismail Kadare e ka cilësuar eposin tonë si një vlerë që ka në vetvete edhe pjesë të eposit europian dhe se ky gjerdan i çmuar na bën të barasvlershëm në rrafshin e kontinentit tonë.

Kritikja e artit, Suzana Varvarica, e cilësoi ekspozitën mjaft të rëndësishme, duke vënë në dukje disa veçori të krijimtarisë së autorit. Sipas saj, piktori Azem Kuçana operon me figurativen përmes ngjyrës, si elementi i tij më i qenësishëm piktorik. Gjithashtu, ajo u ndal te portretet e kreshnikëve dhe te vallja e Tropojës, që artisti i nxjerrë në pah më së miri dhe i bën ato të prekshme nga të gjithë.

I rritur në prehrin e bjeshkëve, i dashuruar me format e kreshtave të Alpeve, me Valbonën mbresëlënëse e mbi të gjitha me këngët kushtuar kreshnikëve e zanave, piktori Kuçana ka sjellë në këtë ekspozitë, figura e ngjyra magjike.

Magjia e artit të tij piktorik përshfaq portrete e gjeste njerëzore shpërthyese, ngjyrat rrëzëlluese të kostumografisë së Malësisë së Veriut shqiptar e sidomos ato të Luginës së Valbonës. Imazhi i çdo pikture shquhet për ritmin dhe ekspresivitetin e veçantë, veti kjo që buron edhe nga vallet e burrave e grave, ku janë skalitur tiparet më të bukura përmes penelit të artistit.


MË SHUME NGA Kulturë