Kryeministri në Tokio, opozita akuza ndaj tij për situatën me greva
Foto: BBC
Lajme

Kryeministri në Tokio, opozita akuza ndaj tij për situatën me greva

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Të hënën e 26 shtatorit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti udhëtoi në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, që ditën e 8 korrikut u qëllua për vdekje gjersa ishte duke mbajtur një fjalim elektoral.

Kreu i ekzekutivit sot e nderoi me prani në funeralin shtetëror derisa bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Ambasadorin e Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari kanë vendosur lule të freskëta në nderim të jetës së ish-kryeministrit Shinzo Abe.

Por, ky udhëtim i kreut qeveritar ka ngjallur reagimin e partive opozitare.

Sipas PDK-së kryeministri udhëtoi në Japoni në kohën kur në Kosovë tash e një muaj fëmijët nuk janë në shkolla si shkak i grevës.

“Jo vetëm pa aftësi, por edhe me keq. Indiferencë. Mungesë totale e empatisë. 320.000 fëmijë kanë mbetur tash e një muaj pa shkollë. E Kryeministri? Në Japoni”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Ndaj saj ka reaguar deputetja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti duke thënë se ish- ambasadorja e shiti lirë sipas saj respektin për ish-kryeministrin e ndjerë japonez që në ditën e vrasjes e kujtonte si mik të madh të shtetit.

“Sa lirë e shet ish-ambasadorja jonë në ShBA respektin për ish-kryeministrin e ndjerë japonez të cilin me 8 korrik ajo e kujtonte si mbështetës të madh të Kosovës? Për një status të dobët në Facebook. Kështu për pak e shitën edhe Kosovën”, ka shkruar në reagimin e saj deputetja Kurti.

Ndaj udhëtimit të kryeministrit në Japoni gjatë ditës reagim pati edhe nga LDK-ja.

Kreu i këtij subjekti politik në opozitë Lumir Abdixhiku ka qenë kritik ndaj këtij udhëtimi duke e quajtur papërgjegjësi të kryeministrit karshi situatës me grevat kur sipas tij mbi 320 mijë fëmije janë jashtë bankave të shkollës prej një muaji.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim - rrinë në shtëpi - por Kryeministri i Kosovës zgjedh të largohet për në Japoni. Paaftësi dhe papërgjegjësi! Ky njeri nuk di të qeverisë! Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike, për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatitë vendin për betejat e mëdha përpara në energjetikë, inflacion, shëndetësi e ekonomi.

“Ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi”, ka përfunduar shkrimin e tij lideri I LDK-së në opozitë.

 

 


MË SHUME NGA Lajme