Kosova nxit përplasjen mes Shqipërisë dhe Rusisë në OKB
Foto: MPJ e Shqipërisë
Lajme

Kosova nxit përplasjen mes Shqipërisë dhe Rusisë në OKB

M.Miftari/RTKlive

Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ku po mbahej mbledhja e Këshilit të Sigurimit, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, në fjalimin e tij përmendi çështjen e Kosovës, luftën e saj duke tërhequr paralelen me luftën në Ukrainë, derisa kritikoi Perëndimin për, siç tha ai, standarde të dyfishta.

Më tej, ai përmendi referendumin që nuk ishte aplikuar në Kosovë, që , sipas tij, atë kohë kjo ishte e mjaftueshme që Perëndimi të njihte pavarësinë e Kosovës, derisa përkujtoi se drejta ndërkombëtare nuk e pengonte atë të shpallte pavarësinë e saj, ndërkohë që, shtoi ai, ndryshe po i qasen rastit të Ukrainës, duke mbrojtur mbajtjen e referendumit në Donbas e Zaporozhye.

“Dua të nënvizoj ndryshe nga situata në Krime, LPR dhe DPR… dhe populli i Zaporozhyes, në Kosovë absolutisht nuk ka pasur referendum, nuk ka vota të lira të popujve atje, ka qenë vetëm një shpallje e pavarësisë, e miratuar nga autoritetet e përkohshme vetëqeverisëse që tejkaluan kompetencat e tyre. Në atë kohë kjo ishte e mjaftueshme që Perëndimi të njihte pavarësinë e Kosovës dhe konfirmoi se e drejta ndërkombëtare nuk e pengonte atë të shpallte pavarësinë e saj”, tha ai.

 Tutje, ambasadori rus përmendi marrëveshjen e Serbisë dhe Rusisë të nënshkruar së fundmi , duke shtuar se nuk është e drejtë që t’i bëhet presion Serbisë që t’i vendos sanksione Rusisë, derisa këto vende kanë marrëdhënie historike.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, i cili tha se kjo deklaratë e delegacionit rus për Kosovën është e pasaktë dhe e gabuar.

Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia takohen dhe dialogojnë, nuk luftojnë.

“Delegacioni rus bëri përsëri një paralele me Republikën e Kosovës, një vend i pavarur që është njohur nga gjysma e Kombeve të Bashkuara duke përfshirë gjysmën e këtij këshilli, pra kjo është e gabuar, e pasaktë dhe për të ardhur keq”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.

Më tej ai sqaroi se “asgjë nuk mund të jetë më artificiale dhe e detyruar sesa krahasimi i përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit, për të mbrojtur civilët dhe për të vendosur një proces paqeje, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme siç ishte rasti i Kosovës, me agresionin e pastër dhe të paprovokuar dhe referendumin që po mbahet tani në Ukrainë.”


MË SHUME NGA Lajme