Reforma zgjedhore, Komisioni synon ta përmbyllë punën për 6 muaj
Foto: RTKlive
Lajme

Reforma zgjedhore, Komisioni synon ta përmbyllë punën për 6 muaj

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Komisioni për Reformë Zgjedhore që mandatin nga Kuvendi e mori më 1 korrik të këtij viti me 71 vota deputetësh synon të përfundojë punën brenda afatit 6 mujor.

Në takimin e sotëm kryetari i këtij Komisioni, Abelard Tahiri ka shprehur besimin se puna e tyre si Komision do të përmbyllet në afat prej 6 muajsh. Megjithatë sipas tij mungesa e Listës Serbe do të paraqesë problem kur bëhet fjalë për ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet Lokale që kërkon shumicë të dyfishtë.

Tahiri tha se si Komision e përfaqësojnë vullnetin e partive parlamentare, prandaj sipas tij nuk duhet  duplifikohet përgjegjësia e të emërohet një grup tjetër këshillëdhënës, por vetëm këshilltar dhe barra të mbetet tek Komisioni.

 “Besoj që për një periudhë ndoshta 6 mujore edhe mund ta përmbyllim procesin. Fakti që nuk do të kemi ndryshime kushtetuese dhe ndryshimet të gjitha i kemi ligjore, dhe fakti që e shihni deri tani nuk kanë treguar vullnet Lista Serbe të marrin pjesë në këtë Komision, atëherë neve na bën të pamundur të prekim ligjin për Zgjedhje Lokale ku kërkohet shumicë e dyfishtë, jo dy të tretat, e këtu jemi goxha të limituar në ndryshimet që do t’i bëjmë. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe Listën Serbe pjesë të këtij Komisioni”, tha Tahiri në këtë takim të Komisionit në sesionin vjeshtor.

Por, Adnan Rrustemi nënkryetar i Komisionit nga LVV-ja tha se është një formë se si mund të rregullohet kjo çështje.Ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme sipas tij  reflektohen edhe në zgjedhjet lokale, me automatizëm.

“Është e vërtetë që Ligji për Zgjedhjet Lokale kërkon procedurë tjetër të ndryshimit, megjithatë ka një gjë të mirë në këtë mes  që shumë prej elementeve që ndërlidhen me procesin e zgjedhjeve edhe për Zgjedhjet Lokale vlen parimi që nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme reflektohen edhe në Zgjedhjet Lokale. Gjithçka që ndryshojmë në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme me automatizëm reflektohet edhe në Ligjin për Zgjedhjet Lokale. E kemi mundësinë që aspektet organizative edhe për zgjedhjet lokale t’i adresojmë nëpërmjet Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, natyrisht duke pasur parasysh pa arritur të ndryshohen ose të diskutohen elementet  e caktuara, p.sh. të mandatit të Kryetarëve të Komunave, apo mënyrës së zgjedhjes së Asamblistëve”, tha ai.

Rrustemi është pajtuar që të mos ketë trupë tjetër përgjegjëse përpos Komisionit që mori mandat nga Kuvendi, derisa kërkoi që partnerët ndërkombëtar sidomos të zyrës së BE, të Ambasadës amerikane dhe OSBE-së të kenë një rol të veçantë.

“Sepse rekomandimet e misionit të vëzhguesve të BE-së e kanë prodhuar nevojën për Komision, neve do të na kishte shërbyer shumë”, tha ai.

 Pajtim që të mos ketë trup tjetër këshillëdhënës kishte edhe Avdullah Hoti i LDK-së.

“Edhe unë jam dakord, ne jemi përfaqësues të partive politike e nuk ka nevojë edhe për një trup tjetër këshillëdhënëse”, tha ai.

Në këtë takim u fol edhe për buxhetin e Komisionit i cili nevojitet për realizimin e mandatit tij të dhënë nga Legjislativi.

“Buxheti të jetë 5 mijë euro aq sa është buxheti i Komisioneve Funksionale”, tha kryetari Tahiri.

Në fund u vendos që në fillim të javës së ardhshme të takohen sërish ku do të diskutohet për angazhimin e këshilltarëve dhe hartimin e planit të punës.


MË SHUME NGA Lajme