Drejt themelimit të Institutit për krime lufte |Video
Lajme

Drejt themelimit të Institutit për krime lufte |Video

Donika Sherifi /RTK

Në Komisionin Parlamentar për Legjislacion sot është miratuar në parim projektligji i cili i hap rrugë themelimit të Institutit për Krime Lufte.

Pozitë e opozitë votuan në komision, derisa të dhënat të cilat do të nxirren nga ky institut, do të mund të shërbejnë edhe për përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.

Esat Shala nga Krajkova e Drenasit ka mbledhur me qindra letra të shkruara, fotografi e video-incizime të masakrave të kryera në luftën e fundit në Kosovë. Ai thotë se këto dëshmi do të ndihmonin shumë institutin për krime të luftës në përmbushjen e misionit.

“Na jena të pajtimit këto incizime që i posedoj unë edhe profesori Nysret Pllana me i dërguar në këtë institut, nëse është një vend i sigurt edhe nëse bëhet diçka në të ardhmen me këto incizime, nëse dikush do me u padit p.sh që ka bo krime në Kosovë, duhet me i marr këto incizime me i shikuar shumë mirë edhe me i trajtuar në mënyrën më të mirë të mundshme që me e nxjerr më të mirën prej këtyre incizimeve”, tha Shala.

Pikërisht krijimi i institutit për krime lufte që përfshin periudhën 1 janar 1998-20 qershor 1999 e solli  të mërkurën para komisionit për Legjislacion, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Ky institucion është i rëndësishëm dhe për dy aspekte të tjera së pari dhe si ndihmë e institucioneve të vendit, kryesisht prokurorinë speciale për adresimin e krimeve te luftës por së dyti siç jeni në dijeni në programin tonë është edhe padia për gjenocid, prandaj mendoj që ne këto dy aspekte do te ndihmoj që të bëhen do të bëhet dokumentimi i krimeve të kryera në Kosovë”, tha Haxhiu.

Votimin në parim i projektligjit për institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë e mirëpritën anëtarët e pozitës e opozitës.

“Ky mekanizëm shtetëror i ka munguar vendit tonë, ndonëse është i vonuar në kohë, është i domosdoshëm që të themelohet sa më parë”, tha Adnan Rrustemi, kryesues i komisionit.

Kurse Hajdar Beqa, Partia Demokratike e Kosovës, tha se jemi të interesuar që të zbardhen të gjitha krimet e luftës.

“Janë disa për mu janë disa paqartësi edhe te fushëveprimtaria, megjithatë jemi të interesuar që me u zbardh edhe me u angazhuar të gjithë ekspertët e mundshëm pa karakter politik po profesionist që të zbardhen të gjitha krimet e luftës që kanë ndodh në vendin tonë”, tha Beqa.

“Ndoshta bile së paku në këtë fazë të kthehemi prej vitit 90-të deri në vitin 2000, në kuptimin e asaj kur ka filluar helmimi masiv i 7000 nxënësve, kur ka filluar dëbimi masiv i njerëzve nga puna, kur ka filluar burgosja masive e njerëzve, vrasja e ushtarëve tonë që kanë qenë në shërbim ushtarak në armatën jugosllave, krejt këto i shoh pjesë të një projekti i cili në fund ka kulmuar me përpjekjet për të na largu nga Kosova”, tha Driton Selmanaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 16 shtator, Qeveria e Kosovës e miratoi projektligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë i cili i është dërguar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim. Ky institut që parashihet të jetë agjenci në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, synon themelimin e kujtesës kolektive por të dhënat do të mund të shërbejnë edhe për përgatitjen e padisë për gjenocid kundër Serbisë.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme