Kuvendi miraton Projektligjin për Antidoping, shkon në pauzë
Foto/ RTK
Lajme

Kuvendi miraton Projektligjin për Antidoping, shkon në pauzë

B.Halimi dhe A.Bela/ RTKlive

(E plotësuar, ora 14:00) Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme e ka votuar në shqyrtim të parë Projektligjin për Antidoping.

Për këtë projektligj kanë votuar 67 deputetë, derisa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Tani ngarkohet Komisioni Funksional dhe komisionet e tjera të përhershme që ta shqyrtojnë këtë projektligj dhe ta sjellin për votim në lexim të dytë.

Paraprakisht ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka shpalosur para deputetëve këtë projektligj dhe i ka falënderuar ata për komentet dhe përkrahjen.

Pas votimit të këtij projektligji, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka dhënë pauzë deri në orën 15:30.

Nuk ka kuorum për votim të masave emergjente në energji

(E plotësuar, ora 13:10) Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për ta votuar vendimin e Qeverisë për masat në furnizim me energji.


Rizvanolli fton qytetarët për kursim të energjisë elektrike

(E plotësuar, ora 12:25) Kuvendi i Kosovës, po diskuton vendimin e qeverisë për masat në furnizim me energji.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha në Kuvend se vendimi për masat në furnizim me energji është i nevojshëm për shkak të krizës që e ka kapluar jo vetëm vendin tonë, por edhe rajonin e më gjerë. Ajo ka ftuar të kursehet energjia elektrike për shkak të kërkesës së madhe për energji dhe çmimeve të larta që janë aktualisht në treg.

Rizvanolli ka përmendur masat dhe veprimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës për të mbajtur stabil sistemin energjetik në vend. “Unë ju lus të votoni vendimin e qeverisë për masat që do t’i marrim”, tha ajo sot në Kuvendin e Kosovës.

Live|Kuvendi fut në rend dite vendimin për masat energjetike

(E plotësuar, ora 12:19) Kuvendi i Kosovës, ka votuar për shmangie të procedurës duke e futur në rend dite vendimin e qeverisë për masat në furnizim me energji.

Shefja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky mocion vjen për shkak të rrethanave që janë në fushën e furnizimit me energji, raporton RTKlive.

Ndërsa deputeti Ferat Shala nga PDK, ka kritikuar veprimet e pozitës, për ndryshim të rendit të ditës. “Ne jemi kundër, nuk kemi urgjencë, kur doni futeni në procedurë të rregullt. PDK është kundër dhe nuk e mbështet këtë mocion”, tha Shala.

Kurse deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, vlerësoi se veprimet e qeverisë janë joserioze dhe për këtë LDK, abstenon në këtë pikë.

Ndryshe Qeveria e Republikës së Kosovës ditë më parë në mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji, raporton RTKlive.

Përmes këtij vendimi, Qeveria i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës, zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme.

Zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes se kërkesës për energji dhe gjendjes jo stabile të furnizimit me energji elektrike. Mungesa energjisë, vjen si pasojë e vjetërsisë së kapaciteteve aktuale gjeneruese, investimet parciale në këtë sektor dhe rritja e vazhdueshme e konsumit. Kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare.

Live|Kurti: Çmimet nuk janë rritur vetëm për mësimdhënësit

(E plotësuar, ora 11:05) Kuvendi i Kosovës, po vazhdon punimet në të cilën në rend ditë janë disa pika.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria nuk po synon kurrfarë triumfalizmi me shpalosjen e pakos për përballjen me inflacion. Ai ka thënë se më 1 shtator në mbrëmje është takuar me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli dhe me këshilltarin e tij, ku së bashku me ministrin e financave i kanë bërë ofertë që ta publikojnë së bashku pakon për përballjen me inflacion.

“Unë kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores sepse është edhe rezultat i trysnisë së tyre pakoja që ne po e bëjmë. Ju ka pëlqyer po nuk e kanë pranuar pasi kanë dalur nga takimi dhe nuk e di më kë janë konsultuar. Atyre ju ka pëlqyer ideja që ne po sjellim pako për përballje me inflacion. Triumfin do ta kishte BSPK-ja me datën 2 shtator dhe me atë rast nuk do të detyrohesha unë që vetëm me ministrin e finacave ta publikoja këtë pako”, ka theksuar Kurti.

Tutje kryeministri ka thënë se është takuar shumë herë BSPK-në, SBASHK-un edhe me Këshillin Grevistë, e ku ata thoshin se janë rritur çmimet. Por, çmimet sipas Kurtit nuk janë rritur në mënyrë specifike vetëm për mësuesit dhe arsimtarët.

“Nëse në markete do të shkruante çmimet e rritura vlejnë për arsimtarët dhe mësuesit ky do të ishte një problem specifik. Arsyeshmëria e SBASHK-ut dhe e Këshllit Grevistë ka qenë se çmimet janë rritur, por çmimet janë rritur për të gjithë dhe ne për të gjithë e kemi pakon e përballjes me inflacion. Problemi nuk ka qenë specifik as në arsyeshmërinë e atyre që i kanë shtuar kërkesat dhe ndodhen në grevë. Ata janë kategori e veçantë por probnlemi nuk është specifik”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri u ka thënë deputetëve se tash është koha që jo vetëm ata, por të gjithë, sa më shumë të marrin pjesë në diskutime publike rreth Projektligjit për Paga. Ai ka thënë se është shumë e rëndësioshme të jepen sa më shumë komente dhe të diskutohet për hollësitë e këtij projektligji.

Nagavci: Garanci që pakoja do të rishikohet në fundvit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se sot është dita e 21 dita e humbjes së mësimit, apo 11 % e humbjes së mësimit deri më tani. “Pritja ime ishte që të jetë një thirrje që mësimi të fillojë dhe të vazhdojë dialogu”, tha ajo. Nagavci ka lavdëruar qeverinë për rregullimin e koeficientëve në projektligjin e pagave për mësimdhënësit. “Ministria dhe qeveria, kanë plotësuar mbi 90% e kërkesave. Është dhënë garanci edhe nga qeveria që pakoja ekonomike do të rishikohet në fundvit”, tha ajo.

Murati: Nxënësit kanë humbur shumë orë mësimi

Ministri i Financave Hekuran Murati, kritikoi opozitën për deklarimet që i bënë sot në seancë, rreth grevave dhe investimeve kapitale. “Janë humbur kaq shumë orë të mësimit, kanë humbur nxënësit dhe arsimi në përgjithësi. Kjo qeveri ka mandatin e plotë dhe ka mandatin më të fortë që e kanë pasur qeveritë më përpara”, tha ai. No description available.Murati iu përgjigj edhe deklarimit për investimet kapitale, duke e lidhur me keqmenaxhimin e Komunës së Prishtinës, që ka bërë investime deri në 6%. “Nëse doni me pa si të menaxhohet likuiditeti, shikoni Komunën e Prishtinës. Herave të tjera shikoni qeverisjen komunale në Prishtinë, i vetmi sukses i juaj në Prishtinë, është tenderi prej 12 milionë euro për konsulencë”, tha Murati.

(E plotësuar, ora 10:32) Kuvendi i Kosovës, ka filluar punimet në të cilën në rend ditë janë disa pika. Seanca ka filluar me deklarimet jashtë rendit të ditës.

Gola: Me ndaljen e grevës fitojnë të gjithë

Në emër të Grupit të VV-së, deputeti Ardina Gola, tha se duket se po i vije fundi grevës në arsim. “Me ndaljen e grevës fitojnë të gjithë, fëmijët fitojnë edukimit, prindërit dhe dialogun social”, tha ai.No description available.

 Sipas tij duhet të gjenden metodat tjera për veprime sindikale. “Është e pakuptim që shërbim i zjarrfikësve dhe policëve të u mohohet greva”, tha ai.

Krasniqi: Për qeverinë e Kosovës, arsimi është instrument politik

Kurse në emër të PDK-së, kryetari Memli Krasniqi, tha se fëmijët e Kosovës kanë pësuar dëme të mëdha si pasojë e grevës në arsim. “Unë para tre jave kam folur për nevojën e kompromisit. Ne madje kemi thënë se si do të ndihmojmë në çfarë mënyrë mund të ndihmojmë”, tha ai.No description available.

Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Kurti për mos veprimet që ai i ka ndërmarrë ndaj zgjidhjes së problemit. Ai ka përmendur rastin e grevës në Argjentinë, e që për pasojë ky vend ka humbur shumë. Krasniqi vlerësoi se për qeverinë e Kosovës arsimit është instrument politik. Sipas tij mësimi duhet të fillojë, por kjo qeveri sipas tij synon të përçaj shoqërinë.

Mustafa: Fatkeqësisht nuk kemi parë asnjë investim kapital

Ndërsa në emër të Grupit të deputetëve të LDK-së, Besian Mustafa, folur për projektet e investimeve kapitale.No description available.

“Jemi në përfundim të muajit të nëntë dhe nuk kemi ndonjë investim kapital, që lidh qendrat e vendit. Fatkeqësisht nuk kemi parë asnjë investim kapital, të kapaciteteve gjeneruese të energjisë”, tha Mustafa. Ai ka kritikuar qeverinë se janë 800 milionë euro në qeveri dhe ato nuk po investohen askund.

Haradinaj: Janë shtrenjtuar produktet bazë

Në emër të grupit të deputetëve të AAK-së, Ramush Haradinaj tha se nga viti 2018 nuk janë rritur pagat. “Janë shtrenjtuar produktet bazë”, tha ai.

Live|Seanca e Kuvendit fillon me diskutimet për grevën

(E plotësuar, ora 10:21) Kuvendi i Kosovës, ka filluar punimet në të cilën në rend ditë janë disa pika. Seanca ka filluar me deklarimet jashtë rendit të ditës.

 

Kuvendi sot mban dy seanca

Kuvendi i Republikës së Kosovës sot me fillim në ora 10:00 do të mblidhet në seancë të re plenare.

Seanca e të enjtes do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, Projektligjit për Anti dopingun dhe atij për edukimin në fëmijërinë e hershme, raporton RTKlive.

Në këtë seancë pritet edhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.

Pas përfundimit të seancës së re, Kuvendi do t’u rikthehet shqyrtimit të pikave nga seancat e papërfunduara.

Po ashtu sot sot Kuvendi vazhdon seancën plenare, me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 15 gusht, 22 dhe 23 shtator.

Në rend dite ështe votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive, Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Noterinë dhe shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Po ashtu Kuvendi vazhdon me pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 4 gusht 2022.

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Qeverinë e Republikës së  Kosovës, Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, Shqyrtimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës 2022-2027, Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar, Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës” dhe Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.

 

 


MË SHUME NGA Lajme