Identiteti arkitektonik përmes ekspozitës së arkitektit Papastefani
Kulturë

Identiteti arkitektonik përmes ekspozitës së arkitektit Papastefani

ATSH

Në Muzeun Etnografik të Beratit u hap ekspozita e arkitektit Andi Papastefani, me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Ekspozita me titull “Në Berat, duke u endur dhe skicuar”, u prezantua njëkohësisht me librin e Papastefanit, me të njëjtin titull.

Ky aktivitet bashkoi përfaqësues të organeve lokale, të rinj nga shkollat e mesme të qytetit, studentë nga degët e arkitekturës e dizajnit, punonjës e specialistë të trashëgimisë kulturore si dhe dashamirës të artit.

Objektivi i ekspozitës dhe librit, është të japë një rrëfim vizual dhe të shkruar të lagjeve karakteristike dhe të ansambleve të qytetit 2400 vjeçar të Beratit. Për më tepër tentohet një shikim përtej pamjeve ikonike të ansambleve, një dekonstruim i tyre.

Andi Papastefani rrëfen me skicimet e tij, si jetohet në këto lagje, si lëvizet në to, të papriturat që dalin gjatë kësaj lëvizje.

Ai tregon veçantinë e ansambleve të Mangalemit dhe Goricës, dy nga kulmet e arkitekturës sonë se si me pak lëvizje ato japin plasticitet dhe harmoni të veçantë.

Kjo ekspozitë e pasur me 52 skica e libri me 123 skica të asambleve arkitektonike, duke hyrë edhe në bahçet e gjelbëruara të shtëpive tradicionale e intinerarin e tyre, është një dëshmi e identitetit arkitektonik e ndërtimor të Beratit dhe do të shërbejë si një udhërrëfyes turistik për gjithë vizitorët.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 7 tetor, në Muzeun Etnografik, Berat.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle