Kuvendi votoi vazhdimin e masave emergjente të energjisë
Blerim Halimi / RTKlive
Kuvendi i Kosovës ka votuar pro vazhdimit të masave emergjente për energji. Kanë qenë 61 deputetë të mazhorancës të cilët kanë votuar pro këtyre masave.
Ndërkohë, gjatë seancës së sotme është miratuar në parim edhe Projektligji për edukimin në fëmijëri të hershme. Pas votimit të këtyre dy pikave të rendit të ditës, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ka ndërprerë seancën, teksa ka thënë se ajo do të vazhdojë kurdo që për këtë merren vesh në kryesi të Kuvendit.
Shtyhet seanca, shkak mungesa e kuorumit për votim të masave emergjente të energjisë
Seanca e Kuvendit të Kosovës është shtyrë për në orën 13:00, në mungesë të kourumit për të votuar për pikën e parë të rendit të ditës – për masat emergjente të energjisë.
Në fakt, një pjesë e deputetëve të mazhorancës kanë qenë në Komision për votimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe për këtë arsye kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar deklarimin e grupeve parlamentare nëse do ta votojnë këtë pikë të rendit të ditës apo do të jetë i detyruar ta shtyjë seancën.
Ai ka thënë se mazhoranca ka premtuar se pas përfundimit të punimeve të atij komisioni do t’i ketë numrat për votimin e masave emergjente të energjisë.
Abelard Tahiri nga PDK ka thënë se edhe në seancën e kaluar kur është debatuar për masat emergjente të energjisë grupi parlamentar i kësaj partie ka qenë kundër vazhdimit të këtyre masave dhe ka bërë të ditur se nuk do të marrin fare pjesë në votim.
Arben Gashi nga LDK e ka vlerësuar të gabuar qasjen e kryeparlamentarit për të kërkuar paraprakisht prej grupeve parlamentare të deklarohen për siç ka thënë ai për diçka që është në diskrecion të secilit deputet veç e veç.
Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK deklaroi se seanca nuk duhet të shtyhet dhe se duhet të ecet tutje me diskutime, pasi sipas tij nuk duhet të ketë ndikim puna e komisioneve në punën e Kuvendit.
Megjithatë, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se të gjitha diskutimet rreth kësaj pike të rendit të ditës kanë përfunduar dhe meqenëse ka mbetur vetëm procesi i votimit seanca shtyhet për orën 13:00.























