Kurti e Kalanderi flasin për qasje të barabartë në drejtësi
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti e Kalanderi flasin për qasje të barabartë në drejtësi

Fadil Sertolli / RTKlive

Ofrimi dhe sigurimi i qasjes së barabartë në drejtësi për qytetarët e Republikës së Kosovës, ishte tema e takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu me Drejtoren Ekzekutive të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Anita Kalanderi.

Përmes një komunikate për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se gjatë takimit u theksua roli i rëndësishëm i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët të cilët përballen me kushte të vështira ekonomike.

“U bisedua edhe për angazhimin shtesë të Agjencisë, që pas amendamentimit të Ligjit, nga fillimi i këtij viti, ofron ndihmë juridike falas edhe për viktimat e dhunës dhe për gazetarët të cilët pengohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Nga viti 2007, është ofruar ndihmë për rreth 60 mijë raste dhe 92% të rreth 5 mijë rasteve që kanë shkuar në Gjykatë me avokat kanë qenë raste të fituar”, thuhet në komunikatë.

Tutje vazhdon komunikata se në këtë takim u bisedua edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo Agjenci dhe hapat e nevojshëm dhe angazhimin e përbashkët, për të pasur funksionim sa me të qëndrueshëm të Agjencisë, ngritje të cilësisë në rastet e ndihmës juridike, rritjen e fushatave informuese për njoftimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe shërbimet e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme