Kurti mirënjohje për komandantin e KFOR-it në takimin lamtumirës
Foto: Qeveria e Kosovës
Lajme

Kurti mirënjohje për komandantin e KFOR-it në takimin lamtumirës

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Kreu qeveritar e ka falënderuar komandantin e KFOR-it për angazhimin dhe përkushtimin e tij në shërbim të paqes dhe stabilitetit në vend.

Shefi qeveritar ka vlerësuar lartë bashkëpunimin gjatë kësaj kohe, veçanërisht në uljen e tensioneve në pjesën veriore të vendit.

“Përvoja dhe lidershipi juaj i madh luajti një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e situatës dhe ruajtjen e kohezionit në KFOR-it, pavarësisht sfidave”, citohet t’i ketë thënë Kurti komandantit të KFOR-it në këtë takim lamtumirës.

Ndërkohë Gjeneral Major Kajári ka vlerësuar bashkëpunimin me institucionet e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.

Bëhet e ditur se në këtë takim u theksua se misioni në Kosovë i Gjeneral Majorit Kajári filloi në të njëjtën kohë kur filloi të ndryshojë në mënyrë dramatike mjedisi i sigurisë globale për shkak të rritjes së politikës ekspansioniste ruse, që kulmoi me agresionin ushtarak në Ukrainë në fillim të këtij viti.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Duke përmendur se vitin e kaluar Kosova ka marrë pjesë në Defender Europe 21 dhe se për herë të parë ka filluar të jep kontributin ushtarak për paqen dhe sigurinë, duke vendosur personelin ushtarak në Lindjen e Mesme, krah për krah me aleatët tanë, Kryeministri Kurti theksoi se Kosova do të vazhdojë ta bëj këtë edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle

MË SHUME NGA Lajme