Avdyli: SBASHK-u dhe Ministria e Arsimit të gjejnë gjuhën e arsyes
Muharrem Miftari/RTKlive
Qeveria as sot nuk ka proceduar me ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, të cilët ishin në grevë për gati pesë javë, pavarësisht se sot ka nisur procesi mësimor.
Lidhur me këtë veprim të qeverisë, dy deputetë nga lista “Guxo”, që është në koalicionin qeverisës me LVV-në, Jeta Statovci dhe Haxhi Avdyli, kanë reaguar, duke shprehur qëndrim të kundërt me këtë veprim.
“Unë kam qenë kundër manipulimit të nxënësve dhe të arsimtarëve për qëllime politike, kundër gjuhës që sindikalistët kanë përdorur e që ishin më motive politike, por vendimin për ndërprerjen e grevës e kam përshëndetur”, deklaroi deputeti Avdyli.
Ai më tej sqaroi qëndrimet e tij dhe të deputetës Statovci, si qëndrim solidarizues ndaj arsimtarëve, ngase, siç tha ai, në mesin e arsimtarëve ka të tillë që punojnë ndershëm dhe janë mbajtës të familjeve të tyre, ndaj dhe qeveria duhet ta gjejë zgjidhjen në këtë drejtim, ndonëse, shtoi ai, ka aprovuar pako për mbështetjen ekonomike, por për paga duhet gjetur një kompromis.
Ndërsa lidhur me këtë reagim të deputetëve nga lista “Guxo”, për mosekzekutimin e pagave ndaj arsimtarëve, se mos ka ndonjë çarje brenda koalicionit, deputeti Avdyli mohoi se ka diçka të tillë. Ai shtoi se koalicioni është stabil dhe ftoi sindikatat që të veprojnë me arsye.
Veç kësaj, ai theksoi se arsimtarët e Ministria e Arsimit duhet të gjejnë gjuhën e arsyes, duke përmendur reformën në arsim.
“Qeveria është e këtij populli dhe është e gatshme për kompromis që të gjendet një mënyrë që orët të humbura të kompensohen në mënyrë të përshtatshme”, deklaroi deputeti Haxhiu në “Lajmet e fundit”,në RTK.
Jasharaj: Mosekzekutimi i pagave, tendencë për shuarjen e SBASHK-ut
Ndërsa kryetari i SBASHK-ut lidhur me këtë çështje deklaroi se nuk e ka pritur një vendim të tillë të qeverisë, duke cilësuar si "thikë mas shpine".
“Ne nuk ishim vetëm në grevë, por edhe shërbyesit civilë, ndërkohë që atyre ua dhanë pagat vetëm arsimit jo, që është veprim hakmarrës dhe jokushtetues”, shtoi Jasharaj.
Tutje, ai theksoi se veprimi i tillë i Qeverisë s’është gjë tjetër veçse shantazh ndaj nesh për të kontrolluar sindikatën tonë, duke paralajmëruar se do të bëjnë kallëzimin e dytë penal ndaj kësaj qeverie.
Jasharaj, lidhur me veprimin e mëtejshëm të sindikatës, theksoi se do ta presin reagimin e presidentes Osmani për këtë veprim të qeverisë, ku, sipas tij nuk ka bazë ligjore, dhe shtoi se do të presin datën 5 tetor, ditën kur do të bëhet procedimi i pagave, nëse deri atëherë nuk bëhet gjë, atëherë do të konsultohet anëtarësia e SBASHK-ut për veprim tutje.
Ai, duke përshëndetur veprimet e dy deputetëve nga radhët e listës “Guxo”, ftoi të gjithë deputetët dhe institucionet tjera të reagojnë në përmirësimin e gjendjes së tanishme.
Gërxhaliu: Arsimi duhet të jetë prioritet mbi prioritete
Për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, deklaroi se është duke humbur nxënësi dhe arsimi në Kosovë.
“Me një vendim të tillë nuk mbështetet arsimi, duke ndaluar pagat, pavarësisht a ka të drejtë sindikata, apo jo. Kosova ka nevojë më së shumti për ngritjen e arsimit, sidomos tani kur ngritja e inflacionit është në nivel të lartë. Kështu mund të shkatërrohet shtresa e mesme. Duhet kujtuar se shumë arsimtarë janë në kredi dhe kjo ndikon edhe në sistemin bankar”, deklaroi Gërxhaliu në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Ai u shpreh se përvoja evropiane duhet të na mësojë, sepse, sipas tij, ka shumë shtete që kanë marrë masa mbështetëse për gjendjen e rëndë ekonomike që po ndodhë tani.
“Arsimi duhet të jetë prioritet mbi prioritete e jo në inate ndaj grupeve të caktuar të interesit”, deklaroi, mes tjerash, Gërxhaliu.























